Live

Mero Baze: Mirë që Albin Kurti nuk i mbajti premtimet, idetë e tij janë kaotike

20:03 / 01 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ndoshta janë shumë, ndoshta edhe nuk janë. Por duke analizuar ngjarjet që shënuan vitin 2022, del që pati goxha zhvillime politike në Kosovë. E të gjitha këto ngjarje i ka komentuar e analizuar gazetari i njohur shqiptar, Mero Baze në një intervistë dhënë Periskopit.

Zotëri Baze kritikon ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti, duke thënë se “ka ndihmuar Gjykatën Speciale t’i jap arsye përse nuk duhen liruar udhëheqësit e UÇK-së”. Ai numëron dështimet e tij po ashtu.

Ndër të tjerash, njohësi i proceseve të Kosovës flet edhe për rolin e opozitës, pa harruar as presidenten Vjosa Osmani si ‘sulmuese’ të Shqipërisë, e as ngjarjen e fundit me analizën skandaloze të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Viti 2022 karakterizoi Kosovën me zhvillime të shumta, nuk munguan takimet me palën serbe, tensionet e protestat brenda vendit. Si një njohës i mirë i proceseve në Kosovë, si do ta vlerësonit vitin që po shkon nën qeverisjen e Kurtit?

Mero Baze: Viti që po shkon ishte një fotografi reale e asaj çfarë është në të vërtetë, fati i politikanëve populist kur ata qeverisin. Shikoj dy gjëra pozitive, që lidhen me qeverisjen. Arritja e parë është që qeverisja nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Që të biem dakord unë nuk jam i shqetësuar që Albin Kurti nuk i ka mbajtur premtimet. Do të ishte më keq t’i mbante. Idetë e tij për zhvillimin e Kosovës janë kaotike, pa asnjë mbështetje reale tek realiteti ekonomik dhe financiar i Kosovës dhe tek modeli ekonomik i tregut. Në këtë aspekt e quaj pozitiv faktin që nuk ka këmbëngulur të vë në jetë idetë e tij si opozitar. Nga ana tjetër, është e dëmshme që Albin Kurti po përpiqet të provokojë herë pa sherre me huqjet e tij opozitare, i kompleksuar nga ideja se duhet të jetë viktimë e një komploti ndërkombëtar kundër tij. Meqë u viktimizua njëherë duke u rrëzuar nga pushteti pas përplasjes me SHBA, tani sa herë dështon kërkon të ngrejë tensionet dhe ta shpëtojnë atë duke e rrëzuar. Në fakt ai nuk duhet rrëzuar, por duhet rrënuar si politikan i përciptë, sipërfaqësor dhe pa një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen e Kosovës. Dhe kjo është serioze. Mes rrëzimit dhe rrënimit të një politikani destruktiv ka një diferencë të madhe në Ballkan. Politikanët që rrëzohen nga konflikti me politikën perëndimore në Ballkan bëhen popullorë. Fatkeqësisht dhe brenda shqiptarëve. Kemi Sali Berishën në Shqipëri të ngjashëm. Rrënimi i tyre duhet të vij nga ballafaqimi i përditshëm dhe i pamëshirshëm me idetë e tyre para shoqërisë shqiptare për t’ua provuar të gjithëve se sa vlejnë. Dhe në këtë aspekt edhe ky vit ishte një vit i mirë kundër Albin Kurtit dhe pro krijimit të një perceptimi më real në Kosovë për të.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...