Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka lënë fajtor Qeverinë Kurti pas deklaratës së Ambasadorit amerikan Jeff Hovenier se marrëveshja Kosovë -Serbi, që po diskutohet mbi bazën e planit franko-gjerman, nuk e parasheh njohjen në këtë fazë.
Sipas tij, kjo është pasojë e politikës populiste të kryeministrit Kurti.
“Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Tani aleati ynë kryesor thekson se koha nuk është për njohje. Ky qëndrim vjen si pasojë e papërgjegjësisë populiste që për politikë turmash jo që s’arriti të përfitojë nga kjo administratë, por pariparueshëm degradoi relacionet në qëndrime që tani dhe normalizojnë mosnjohjen. Dhe kështu, si në asgjë, në momentin më të mirë në dekada për Kosovën, e në momentin më të rëndë për Serbinë e aleatin e saj Rusinë – Qeveria e Kosovës bëri të pabëshmën, regresoj në fundament me partnerë strategjikë duke i dhënë një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik”.
Abdixhiku tha se me Joe Biden në krye të SHBA-së, Kosova pati një mundësi të jashtëzakonshme.
“Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Pra njohja e ndërsjellë, respektivisht njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden. Si njëri nga Presidentët më të involvuar me çështjen e Kosovës, që nga vitet e 90-ta e këndej, Joe Biden dhe qëndrimi këmbëngulës për Kosovën, shpërfaqnin një mundësi të jashtëzakonshme për popullin e vendin tonë.
Në fund, Abdixhiku tha se liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën – në dy vite të tyre deri tek ky përfundim.
“Sepse politika e tyre e theqafjes nuk përbën asnjë shpjegim patriotik”.