Vjosa Osmani nuk e ka më asnjë arsyeje që mos ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, emrin e të cilit presidentja e Kosovës e ka në tavolinë qe më shumë se nëntë muaj, meqë Isufaj ishte përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial për ta pasuar Aleksandër Lumezin, të cilit i kishte përfunduar mandati gjatë muajit prill të vitit të kaluar.
Osmani, kur ishte pyetur për mos dekretimin e Isufajt gjatë një interviste në fund të vitit të kular në Klan Kosova, pati theksuar se si presidente “nuk mund të nënshkruaj pa pas shterrje të gjitha mjeteve juridike”, duke aluduar në ankesën e kandidatit për Kryeprokuror, Shqipdon Fazliut, të dorëzuar në Gjykatën Supreme, lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri.
Por, Fazliu në një intervistë për Albanian Post, ka thënë se nuk dëshiron që të jetë pengesë që vendi të mbetet edhe më tutje me ushtrues detyre të Kryeprokurorit dhe “as që dua të jem pengesë në marrjen e një vendimi mbi dekretimin apo refuzimin e të nominuarit”.
“Kështu, nëse dekretohet i nominuari, deklaroj se ankesa ime do të përshtatet pas atij dekretimi dhe do të kërkoj eventualisht konstatimin e shkeljes së të drejtave të mia, por jo edhe anulimin e procesit te përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Pra, dekretimi apo refuzimi i dekretimit të të nominuarit paraqet kompetencën ekskluzive të Presidentes së vendit dhe cilido qoftë vendimi, për mua është plotësisht i pranueshëm”, tha Fazliu.
Në këtë situatë, Fazliu mendon se “Presidentja mbetet arbitri vlerësues i këtij procesi, nëse procesi ishte mjaftueshëm i drejtë, meritor dhe brenda standardeve ndërkombëtare”.
“Është me rëndësi të theksohet se gjykatat vendore nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje meritore ankesave dhe padive të ngritura. Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit mbetet mes vlerësimit të KPK-së nga njëra anë dhe vlerësimit të ambasadave të ndryshme, zyrës së BE-së, shoqërisë civile dhe vet transmetimit televiziv nga ana tjetër”.
Fazliu, që aktualisht mban pozitën e prokurorit të Shtetit, sqaroi po ashtu se edhe pas vendimit të Supremes, nuk e di nëse do të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, kjo do varet sipas tij edhe nga zhvillimet për Ligjin e Pagave, por edhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Nëse do t’i drejtohem apo jo Gjykatës Kushtetuese pas pranimit të vendimit të Gjykatës Supreme, është vendim që unë ende nuk e kam marrë, ndërsa është e drejtë që më përket ekskluzivisht mua. Vendosja, në këtë rast varet nga zhvillimet në Ligjin e Pagave, por edhe nga gjasat e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ngase alternativa e ankesës në GJEDNJ, për mua paraqet alternativën e besueshme”, shtoi ai.
“Në fund, dua të sqaroj se vazhdoj të mbes fuqishëm prapa të gjitha pretendimeve të mia, në ankesat dhe paditë e ushtruara në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”.
Ndryshe, në fund të vitit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se vendimi për emërimin ose jo të Isufajt i takon asaj.
“Do të ishte mirë sikur të mos kishte ankesa të cilat tashmë po shqyrtohen në Gjykatën Supreme. Unë si presidente nuk mund të nënshkruaj pa pas shterje të të gjitha mjeteve juridike. Pastaj, kur ta kemi vendimin final, nëse edhe Gjykata Kushtetuese vendos në një mënyrë apo tjetrën, unë si presidente do të ulem dhe do ta bëjë vlerësimin e nevojshëm, pasi ky është vendim i presidentes”, pati thënë ajo
Më 6 prill, të vitit 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.
Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.
Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Sipas Szunyog, Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Organizatat joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.