Kuvendi Komunal i Komunës së Preshevës është shprehur i pakënaqur për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve të dedikuara për Luginën e Preshevës nga Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Sipas këshilltarëve të këtij kuvendi, mbi bazën e joprofesionalizmit, keqpërdorimit, zhvatjes publike e përçarjes, Këshilli Kombëtar Shqiptar, në krye me Ragmi Mustafin, bëri shpërndarjen e mjeteve nga buxheti i taksapaguesve të Kosovës, përmes një konkursi skandaloz që iu dedikua individëve dhe organizatave joqeveritare të afërta me PVD-në.
“Konkursi u hap në kohë fushate dhe u përdor për manipulimin e aktivistëve të caktuar partiak, të cilët u porositën të bëjnë hapjen e organizatave joqeveritare, për të pasur më të lehtë shpagimin e një aktiviteti militantesk në kohë fushate, nëpërmes mjeteve të buxhetit të Qeverisë së Kosovës e që secilit iu ndanë me mijëra euro”.
“Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ngarkoi bashkëpartiak në komisionin për vlerësim, duke përjashtuar çdo përfaqësues tjetër nga strukturat tjera politike. Me indinjatë të thellë, për shpërndarjen e mjeteve të Qeverisë së Kosovës në mënyrë të padrejtë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, kujtojmë se Lugina e Preshevës sapo ka humbur mundësinë e nisjes së projekteve madhore të paraparë me mjetet e Qeverisë, projekte këto jetike për qytetarët e komunës sonë”.
Sipas Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës, Kosova sapo e ka “ndihmuar” strukturën e përgjithshme të PVD-së dhe jo Luginën e Preshevës.
“Milionat e taksapaguesve kosovar, ndodhen në llogaritë e funksionerëve e aktivistëve të afërt të tyre, njëkohësisht, ky është edhe ofendimi i radhës nga e gjithë struktura e PVD-së, karshi qytetarëve të Luginës së Preshevës”.