Live

Vlera e koeficientit të pagave mbetet sekrete

16:20 / 18 Janar 2023

Nga Kosova Live

Në më pak se tri javë pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave në Kosovë, por asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk e di se sa do ta ketë pagën.

Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit.

Si i tillë, Ligji është dekretuar tashmë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se vlera monetare e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, por nuk jep detaje se sa mund të jetë ajo.

Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.

Aktualisht, paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 480 euro në muaj.

Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh nga burime brenda institucioneve të Kosovës se vlerat e diskutuara monetare të koeficientit janë 100 euro, 120 euro dhe 130 euro. Shuma e caktuar do të shumëzohej pastaj me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe do të prodhonte vlerën e pagës.

Përfaqësues të punëtorëve kritikojnë Qeverinë për mospublikimin e vlerës së koeficientit dhe mospërfshirjen e saj në ligj.

“Jemi në pritje, urojmë që [koeficioneti] të mos jetë më i ulët se 120 euro”, thotë për Radion Evropa e Lirë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Me këtë vlerë të koeficientit, thotë ai, pagat në sektorin e arsimit do të rriteshin.

Për shembull, mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, nivelin e koeficientit e kanë 5.6. Paga e tyre është 530 euro – me vlerën monetare të koeficientit 120 euro, ajo do të rritej në 672 euro.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Administratë Publike, Ali Gashi, thotë se kjo organizatë ka kërkuar që vlera monetare e koeficientit të jetë 130 euro, por se për të nuk ka marrë garanci.

“Në një takim me kryeministrin [Albin Kurti] e kam pyetur se sa do të jetë vlera e koeficientit dhe më ka thënë përafërsisht 120 euro. Nëse nxirret një vlerë e koeficientit jo e dinjitetshme, atëherë jemi mashtruar nga Qeveria”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Ligji paraprak për pagat e shërbyesve civilë, i cili më pas është shfuqizuar, e ka pasur vlerën monetare të koeficientit 239 euro për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ky ligj është miratuar në shkurt të vitit 2019, por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të vitit 2020 – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Edhe për Ligjin aktual për pagat, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 6 janar, ka deponuar tek Avokati i Popullit kërkesë për fillimin e hetimeve për, siç ka thënë, shkelje të të drejtave të njeriut.

IKD-ja, në këtë kërkesë, ka vlerësuar se Ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos e përcaktuar vlerën monetare të koeficientit.

IKD-ja, po ashtu, ka thënë se ka gjetur se Ligji në fjalë përmban disa dispozita, të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik – aspekt ky që, sipas IKD-së, paraqet shkelje të nenit 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit konfirmoi për REL-in se e ka pranuar këtë kërkesë dhe tha se do ta shqyrtojë “brenda afatit ligjor”, që është 30 ditë.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 – më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit. Më i ulëti, ndërkaq, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë edhe projektligjin që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale, por nga qershori i vitit të kaluar – kur ka ndodhur kjo – nuk ka pasur ndonjë zhvillim tjetër.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro. Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...