Live

Ligji i Pagave| Gashi: Çdo koeficient nën 130 euro do ishte sa për sy e faqe

12:56 / 22 Janar 2023

Nga Kosova Live

Kur kanë mbetur edhe dhjetë ditë në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga për sektorin publik, ende nuk dihet vlera e koeficientit. Kuvendi i Kosovës, përmes ligjit, ka miratuar renditjen e koeficienteve për zyrtarë publikë por pa qenë në njohuri për vlerën.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, Ali Gashi ka deklaruar për KosovaPress se mos përcaktimi i vlerës së koeficientit për paga ka krijuar shqetësim dhe pakënaqësi tek zyrtarët publikë.

Gashi është shprehur se çdo vlerë e koeficientit që është nën 130 euro, i obligon që të bisedojnë me partnerët sindikalistë dhe të shohin se si do të veprojnë tutje.

Sipas Gashit, nga hartimi e deri te miratimi i ligjit ka pasur mungesë të theksuar të transparencës.

“Sindikata e Administratës Publike është me vite që punon dhe angazhohet që të kemi një Ligj të pagave, por fatkeqësisht edhe pse ky Ligj i pagave ka ndjekë një rrugë mos transparencës dhe mos mundësisë se komunikimit të drejtpërdrejtë të sindikatave dhe të organizatave të tjera që afektohen nga ky ligj. Tani del, mos përcaktimi i vlerës së koeficientit i cili ka krijuar një shqetësim të jashtëzakonshëm duke analizuar pothuajse në të gjitha poret e shoqërisë sesa do të jetë kjo vlerë e koeficientit. Rrjedhimit nga kjo kemi çdo lloj konspiracioni që del gjoja në emër të institucioneve por kjo ka krijuar një pakënaqësi të jashtëzakonshme tek zyrtarët publik”, theksoi Gashi.

Gashi tha se ata kanë propozuar që vlera e koeficientit të jetë 130 euro bazuar pas një analize, duke marrë parasysh inflacionin dhe gjendjen e rënduar në vend.

Ai shtoi se çdo koeficient nën këtë vlerë është thjesht kozmetike.

“Vlera e koeficientit për ne, Sindikatën e Administratës Publike është ai që kemi propozuar, që i bie 130 euro. Kjo vlerë është përcaktuar pas një analize të thellë, duke marrë parasysh jo vetëm inflacionin, por edhe gjendjen e rënduar ekonomike, çmimet e larta dhe trendin e rritjes së çmimeve që pothuajse është bërë ditore. Prandaj, çdo koeficient i cili do të ishte nën 130 euro do ishte koeficient sa për sy e faqe, pasi nuk do të realizojë pritjet e zyrtarëve publikë”, tha Gashi.

Kreu i Sindikatës së Administratës Publike tha se është e padrejtë që ende nuk dihet koeficienti i pagave, sipas tij ka një ligj i cili është hartuar për paga e nuk e përcakton pagën.

“Këtu kemi spekulime të ndryshme, do të jetë kjo vlerë kaq, të gjitha këto spekulime dhe e gjithë kjo situatë që mund të quhet hamulli e krijuar, është si rezultat i mos transparencës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi konsiderojmë se në momentin që është hartuar projektligji i pagave është dashur të jetë edhe vlera e koeficientit, sepse ky ligj bëhet për zyrtarët publikë, ky ligj vet titullohet ligji i pagave zyrtarëve publikë. Në kontekstin e gjithë kësaj kemi një ligj i cili është hartuar për paga e nuk e përcakton pagën”, shton Gashi.

I pyetur se cili do të ishte reagimi i tyre nëse vlera e koeficientit do të ishte më poshtë se 130 euro, Gashi tha se kjo mbetet për t’u diskutuar edhe me partnerët e tjerë sindikalistë.

“Ne insistojmë që të jetë vlera prej 130 eurosh dhe rrjedhimisht nuk dëshirojmë të spekulojmë, megjithatë çdo vlerë e cila do të jetë nën 130 euro na obligon që të ulemi sërish me partnerët tanë sindikalistë dhe me anëtarët e sindikatës që ne i përfaqësojmë, konkretisht shërbyesit civilë dhe do t’i diskutojmë në tërësi të gjitha gjërat të cilat pastaj do të dalin për t’u diskutuar”, tha mes tjerash Gashi.

Kryeministri Albin Kurti pati kërkuar durim në lidhje me publikimin e koeficientit për paga, duke thënë se kjo do të bëhet gjatë muajit janar. Partitë opozitare kanë kërkuar që vlera të jetë 130 euro.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...