Instituti i Kosovës për Demokraci ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë më transparente sa i përket çështjes së dialogut Kosovë – Serbi.
Sipas KDI-së, përderisa procesi gjendet në një fazë mjaft delikate, qytetarët e Kosovës janë të pa informuar mbi përmbajtjen e takimeve të ndërlidhura me dialogun dhe dakordimet eventuale lidhur me këtë proces.
“Diskutimet mbi përmbajtjen e propozimit Franko-Gjerman/Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Asociacionin janë temat kryesore në debatet mediale, ndërkohë që po mungon një debat i strukturuar politik e shoqëror dhe një mostransparencë e theksuar e Qeverisë mbi qëndrimet e saj në raport me këto propozime. Duke qenë i mbyllur dhe i reduktuar, ky proces çdo ditë e më tepër po krijon hapësirë për dezinformim, pasiguri dhe ulje të besimit të publikut. Informacionet selektive dhe deklaratat e kufizuara të emisarëve ndërkombëtarë mbeten burimet e vetme të informacioneve, ndërkohë që Qeveria po shmang adresimet për publikun”, vlerëson KDI.
Ata thonë se Qeveria si mandatare për të udhëhequr dialogun me Serbinë duhet të jetë e hapur dhe t’a informojë publikun lidhur me qëndrimet e saj dhe të priturat nga ky proces.
KDI vlerëson se edhe edhe vet kryeminsitri Albin Kurti duhet të raportoj në Kuvendi ne Kosovës ëpr këtë process.
“Meqë përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi është çështje e interesit nacional, pritjet tona janë që edhe subjektet politike opozitare të tregohen të përgjegjeshme dhe serioze në përpjekjet e tyre për ta mbajtur Qeverinë llogaridhënëse dhe për të ofruar kapacitetet e tyre në formësimin e qëndrimeve sa më konsensuale të palës kosovare. Në këtë drejtim, opozita përmes praktikave dhe instrumenteve kushtetuese parlamentare, do të duhej të ftonte Kryeministrin në raportim në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në lidhje me zhvillimet në procesin e dialogut” thonë nga KDI.