Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, gjatë një vizite studimore në Kosovë, mbajti edhe një konferencë me gazetarë.
Mandl tha se edhe vetë ai ka humbur durimin për vonesat që po i bëhen Kosovës për mosliberalizim të vizave, ndërsa theksoi se pret që kjo të bëhet sa më parë.
“Presim me padurim që të hyjë në funksion liberalizimi i vizave nga 1 janari i vitit 2024. Kemi parë që ky proces është shtyrë disa herë, prandaj ne do të kujdesemi që ky proces të realizohet. Është vonuar e shtyrë shumë – madje edhe unë e kam humbur durimin për këto vonesa”, tha ai.
Ndërsa, parlamentari tjetër austriak, Helmut Brandstatter, tha se duhet gjetur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe që pesë shtetet e Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën.
“Duhet të ballafaqoheni me Serbinë dhe të gjendet një zgjidhe, gjithashtu duhet të gjendet një zgjidhje me pesë shtetet tjera të BE-së që ta njohin Kosovën, si vend normal në Evropë”. Kurse, asamblisti në parlamentin e Vjenës, Hannes Taborsky tha se Kosovën e pret një e ardhme në mesin e shteteve të BE-së.
Kujtojmë, një ditë më parë Eurodeputeti Lukas Mandl është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan./KlanKosova/