Në një draft-statut të publikuar dje nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashihet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të tij, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se ky ka qenë edhe qëllimi i kësaj organizate gjatë hartimit të këtij drafti dhe njëherit që ai të jetë në përputhje dhe me Marrëveshjen e Brukselit.
Sipas tij, statuti i Asociacionit nuk do të këtë kompetenca ekzekutive. Ai bëri të ditur se me këtë dokument kanë filluar të punojnë qysh para një viti.
“Ky është një propozim për diskutim publik, qëllimi i organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung ishte që të japim një kontribut për debatin publik. Edhe më parë ka pasur shumë debate por askush nuk ka ofruar një propozim publik për këtë”, tha Schlee për RTK.
Sipas tij ky draft duhet të shihet vetëm si fillim i bisedës dhe kurrsesi si version përfundimtar, se si duhet të duket ai.
“Shpresoj që të gjithë ta angazhohen në draft dhe ta lexojnë atë. Ne e kemi shqyrtimin ligjor dhe nuk ka ndryshime kushtetuese që duhet të bëhen për këtë. Nëse e merrni këtë statut si e kemi hartua ne nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese”, tha Schlee.