Trim Syla, apo Trimi me Parullë siç po njihet tashmë nëpër qytet, ka vazhduar edhe sot protestën e tij kundrejt ambasadorit Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një skandal të madh financiar.
Sot, Trimi ka përzgjedhur si lokacion Hotel Siriusim, pikërisht në kohën kur aty konferencë po mbante Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.
Kurti dhe Murati kanë lansuar sot platformën “Super Puna”, ku ata zotohen për punësimin e të rinjve përmes kësaj nisme.
Trimi ka dalë me disa fakte, ku ai ka përmendur përqindjen e madhe të të rinjve të papunë dhe numrin alarmant të tyre që kanë ikur nga Kosova vitin që lëmë pas – në një kohë kur për aferën financiare të ambasadorit Berishaj nuk po ndërmerret asnjë veprim.
“Fakte: Papunësia: 35 %, Migrimi: 50 mijë të rinjë, Martini: 4.5 milionë euro”, ka shkruar Trimi në parullën e tij.
Kujtojmë se po bëhen rreth një vit që nga lajmet e para për përfshirjen e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një skandal të madh financiar.
Që nga ajo kohë, Ambasadori Berishaj ka marrë mbrojtjen e Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani dhe, përkundër dy kallëzimeve penale, ai vazhdon të ushtroj detyrën e tij.