Live

ZPS për dëshmitarin e 62-të: Është arrestuar e rrahur nga ushtarët e UÇK-së në fillim të 1999-ës

10:37 / 07 Maj 2024

Nga Kosova Live

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 62-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mban kodin 03878 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Matt Halling i cili fillimisht lexoi një përmbledhje ku tha se dëshmitari ishte arrestuar dhe rrahur nga ushtarët e UÇK-së në fillim të 1999-ës.

“Dëshmitari i ZPS-së është arrestuar nga ushtarët e UÇK-së në fillim të viti 1999. Dëshmitari është rrahur keqazi brenda një periudhë tri javore mbi të cilën ai u transferua dhe u lirua. Dëshmitari 03878 ka vuajtur lëndime dhe plagë të rënda dhe që kanë zgjatur në kohë si rezultat të ndalimit dhe keqtrajtimit të tij”, tha prokurori.

Ky dëshmitar është duke dhënë dëshmi me video-lidhje si dhe është me masa mbrojtëse. Vlen të theksohet se kryetari i trupit gjykues, e pyeti dëshmitarin nëse dëshiron t’i heq këto masa por ai refuzoi kështu që identiteti i tij është i mbrojtur.

Disa pyetje prokurori i bëri në seancë publike ku dëshmitari pohoi se në vendin ku ishte mbajtur i ndaluar kishte roje me armë e po ashtu rrahjet u kryenin me dritë ndezë.

Gjatë kohës sa kanë qenë të ndaluar dëshmitari mohoi se ka qenë para ndonjë gjykatësi e po ashtu tha se nuk kanë pasur akuza zyrtare. Më pas, për mbrojtjen e dëshmitarit, pyetjet e tjera prokurori kërkoi që t’i shtrojë ne seancë private dhe kjo u aprovua nga trupi gjykues.

Sipas gjyqtarit Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysme. Ai tha se për pyetje prokuroria i ka paraparë rreth një orë, ndërsa kundërpyetjet e mbrojtjes pritet që të marrin kohë rreth gjashtë orë e gjysmë.

Pos kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se Selimi e Veseli janë të pranishëm fizikisht në seancën e gjyqit ndërsa, Thaçi dhe Krasniqi janë përmes video-lidhjes

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Betimi për drejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua