Eksperti britanik i cili njeh shumë mirë zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, James Ker-Lindsay, në një intervistë për EWB ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për dy opsionet që sipas tij kanë mbetur në rrugën për të ecur përpara.
Ker-Lindsay thotë se këto dy opsione janë ose ndarja ose krijimi i një autonomie për serbët pra që nënkupton krijimin e Asociacionit.
Ai në këtë intervistë ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve ende s’ka vdekur dhe se ka ende njerëz që e mendojnë se është një nga opsionet. Madje kur e thotë këtë, kujton fjalët e një ish-diplomati amerikan që kishte përshkruar korrigjimin e kufijve si një ide, koha e së cilës ende s’kishte ardhur.
‘Ka nga ata që ende mendojnë se ky është një opsion”, ka thënë Ker-Lindsay për EËB, transmeton Express.
Ai tutje pyet se çfarë mund t’i ofrohet Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës.
“Ka vetëm dy opsione të dukshme” potencon Lindsay duke thënë se e para është ndarja dhe e dyta është dhënia e një “autonomie kuptimplotë” për serbët që jetojnë në Kosovë.
Kur flet për ndarjen, ai thotë se kjo mund të bëhet zyrtarisht me një demarkacion të kufirit për të cilin palët bien dakord. Sipas Ker-Lindsay duhet të ndiqet shembulli i Irlandës së Veriut.
“Kjo është ajo ku veriu i Kosovës bie nën kontrollin e Serbisë, dhe të gjithë pranojnë se ky është realiteti në terren dhe pastaj në një moment ata arrijnë njëfarë marrëveshjeje për të. Jo domosdoshmërisht mënyra e rregullt për ta bërë këtë – dhe mendoj se një marrëveshje formale do të kishte shumë më kuptim – por kjo është një mënyrë”, ka thënë ai.
Eksperti britanik tutje thotë se nëse ky opsion është i papranueshëm atëherë duhet të bëhet Asociacioni i Komunave Serbe.
“Por nëse ky nuk është opsioni, atëherë alternativa do të duhet të jetë një lloj aranzhimi i autonomisë për serbët e Kosovës. Me fjalë të tjera, realizimi i Asociacionit të komunave serbe”, thekson Ker-Lindsay.
Në fund analisti britanik thotë se është për të ardhur keq që ka zëra të cilët duan t’i parandalojnë të dyja opsionet, që duket se e ka për kryeministrin Kurti. Ker-Lindsay thotë se bazuar në qëndrimet e kryeministrit, duket që ai thjeshtë s’është i interesuar për marrëveshje të qëndrueshme.
“Nga njëra anë, ju keni njerëz që thonë, “ne nuk mund të kemi asnjë lloj rregullimi territorial”. Në rregull, atëherë le të shohim këtë opsion që do t’u japë serbëve autonomi kuptimplote brenda Kosovës dhe që mund të jetë diçka që Beogradi është i gatshëm ta pranojë. Por më pas këta njerëz fillojnë të këmbëngulin se është antikushtetuese. Duket se ata thjesht nuk janë të interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë ndër të tjera./Express/