Gjermania pezulloi operacionet e shpëtimit në zonën e tërmetit në Turqi, duke përmendur si shkak sigurinë.
Pas Austrisë, Gjermania është vendi tjetër që ka pezulluar punën e kërkimit dhe shpëtimit në shtetin turk, i cili u godit të hënën nga dy tërmete të fuqishme.
Autoritetet gjermane kanë ardhur deri në këtë vendim për shkak të shqetësimeve për sigurinë, raporton cnn.
“Gjatë orëve të fundit, situata e sigurisë në rajonin Hatay me sa duket ka ndryshuar. Ka raportime për përplasje mes grupeve të ndryshme. Prandaj, ekipet e kërkim-shpëtimit të ISAR Gjermani dhe THW do të qëndrojnë në kampin e përbashkët të ekipeve ndërkombëtare. ISAR dhe THW do të rifillojnë punën e tyre sapo AFAD ta vlerësojë situatën të sigurt”, thuhet në deklaratë.
Ushtria austriake përmendi gjithashtu rreziqe sigurie në pezullimin e operacioneve të saj.
Ndryshe, numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri pas tërmetit ka shkuar në mbi 24 mijë persona.