Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është siguruar lokacioni për projektin në vlerë mbi 60 milionë euro për energji diellore “Solar4Kosovo”.
Ai theksoi se sistemit të ngrohjes do i shtohen rreth 70 megavat, ku do të përfitojnë rreth 60 mijë banorë.
Kështu kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh në konferencën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”.
Tutje, Kurti tha se urbanizmi është ndër përpjekjet bashkëkohorë që në qendër të vëmendjes e ka njeriun dhe natyrën dhe shtoi se qeveria ka miratuar edhe vendimin për hartimin e planit të ri hapësinor të Kosovës, i cili sipas tij do të reflektojë në vizionin për zhvillim të qëndrueshëm.