Live

Si e mori lajmin për vrasjen e Agimit? Shukrie Ramadani mes lotësh rrëfen momentet më të rënda

13:25 / 18 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

24 vjet më parë një nga komandantët më të shquar të UÇK-së, Agim Ramadani, u flijua në Koshare, në luftë kundër ushtrisë serbe. Gruaja e Agim Ramadanit, Shukrije Ramadani në një rrëfim tregoi se si e mori vesh lajmin e vdekjes së tij.

Ajo në rrëfimin e saj për atë ditë të kobshme, thotë se nuk mund të ngopej me frymë dhe se e kishte një ndjenjë sikur “dheu po e çonte përpjetë”.

Gruaja e Agimit, Shukrija e cila jetonte në Zvicër me fëmijët e saj tha se ishte ditë e diel dhe se kishte shkuar në një vizitë tek familja e shokut të Agimit, i cili ishte skulptor. Ishin të ftuar për drekë.

Por, siç tha ajo nuk ndjehej mirë, dhe i kishte kërkuar motrës së saj, të cilën e kishte me vete, që të shkonin në shtëpi, pasi e kishte harruar edhe telefonin, transmeton Telegrafi.

“Isha e ftuar bashkë me fëmijët në një drekë tek shoku i Agimit që është piktor dhe skulptor në Zvicër, Nexhmedini, dhe me motrën time. U përgatit dreka, atë ditë ishte e diel. E kisha harruar telefonin celular në shtëpi. Seç e kisha një ndjenjë dhe më çonte dheu përpjetë. Dhe po ia bëj motrës ‘s’rrijna për drekë’, ndërsa zonja e shtëpisë tha që ‘drekën e kam gati’. I thash ‘jo s’muj’, e kam një vrull n’shpirt’, që s’më linte frymë me u ngi. ‘ka ndodh diçka’, e motra më thoshte, ‘jo çka ka me ndodh’, i thash, ‘nuk e di telefonin nuk e kam me vete dhe më duhet të kthehem në shtëpi’ “, tha ajo.

Agim e Shukrije Ramadani

Përderisa u kthye në shtëpi, ajo tregoi se menjëherë e ka kap telefonin dhe e ka thirr në telefon Agimin, por siç rrëfeu ajo, telefonin nuk e hapi Agimi, por Agroni (shoku i Agimit).

“Jam kthyer në shtëpi dhe menjëherë kam thirr, u lajmëru shoku Agimit, Agron Isufi. ‘Doki’, thash ‘a jeni krejt shëndosh e mirë?’, ‘po tha mirë jemi krejt, pse?’, e pyeta ‘po Agimi?, tha ‘Agimi s’o këtu’, unë e dija që veç kishin hy në Kosovë. Prapë e kisha atë ndjenjën që të zihej fryma. Pas një ore kam thirr prapë. Pas një ore Agroni e kishte kuptuar që Agimi ka ra. Unë në telefon ‘doki a jeni mirë?’, ai ‘mirë, çka u bo prapë?’. I thash që po du me fol me Agimin, më tha që s’mundesh me Agimin me fol. I thash, doki të lutem kam nevojë. Më tha ‘tregom çka me i thanë?’, i thash ‘veç thuaj le të ruhet aman’. Dhe ai ma ndërpreu menjëherë, se ai veç e kishte kuptuar. Pastaj s’më treguan fare”, vazhdoi rrëfimin Shukrija, gruaja e Agim Ramadanit.

Të nesërmen, sipas saj i erdhi një shoqe duke e pyetur nëse është mërzitur për Agimin.

Siç tregoi Shukrija për RTV Dukagjinin, shoqja e saj kishte marr vesh që Agimi ishte plagosur dhe i kërkonte që të shkonin bashkë në Koshare, pasi edhe ajo e kishte burrin në luftë në Kosovë.

“ I thash ‘hajgare po bën?’. Edhe ajo e kishte burrin në luftë. Tha ‘a shkojmë në Koshare?’. I thash, ‘a hajgare po bën a? Ata sa kanë hy ku kanë kohë me u marr me neve? Duke e ditë situatën dhe qysh reagon Agimi. Thash që s’ka gjasa. Jo tha po shkojmë, ajo tha që i kishte fut me i ndreq pasaportat, se unë s’kisha pasaportë. Dhe mbeta e stepur, e i thash ‘çka po thu?’, se e pash që paska diçka serioze. ‘Po’ tha, ‘se ka diçka të re’. Isha duke e përgatit drekën, i thash, ‘çka ka të re?’, tha, ‘më duket ishin plagu’. Thash ‘kush ish plagu? ‘, tha ‘burrat tanë’. I thash, “Kimet tregom drejt a është vra Agimi?’, ‘pasha fminë jo’, se edhe ajo se dinte. Thash shiko ‘Agimi me qenë i plagum me thërret në telefon, gjasa s’ka ai me qenë gjallë e mos me më thirr mu’. Thash ‘koka vra’, dhe ajo mbeti e stepur në atë moment”.

Agim e Shukrije Ramadani

Pas bisedës me shoqen e saj, Shukrija tregon se i erdhi kunati dhe shokët e Agimit në shtëpi. Ata i treguan se Agimi është plagosur dhe se duhet të shkojnë patjetër pranë tij.

Pas disa orësh rrugë deri në destinacion, Shukrija tha se u lodhën shumë dhe bukë nuk kishin ngrënë.

“Në atë moment erdhi kunati dhe shokët e Agimit, dhe hyra në banjo me pastru sytë, se frikësohesha mos po më bie të fikët. Nga banjo e pash një shok të Agimit që punonte mjekësi, duke ma vënë një tabletë në ujë. Dhe dola e i thash ‘m’fal çka bone?’, jo tha asgjë. Ju thash nëse ka diçka më tregoni drejt, nuk dua të trullosem, Agimi e meriton dashurinë dhe dhimbjen time, ju lutem më tregoni drejt. Jo për besë s’ka asgjë veç është i plagosur rëndë, e kanë nis për Turqi. Por tha që ne po nisemi menjëherë atje… Thash ok. Shoqja ime i ka paketu teshat, motra ime ka ardh me i rujt fëmijët”.

Ajo rrëfen edhe momentin kur lutej për vdekjen e tij, se sa të binte i gjallë në dorë të serbëve, pasi një oficer i kishte thënë se Agimin e kanë zënë serbët të gjallë.

“Jemi nisur dhe i kemi bërë diku 12 orë rrugë me një kombi, pastaj me anije dhe kur kemi mbërri atje, shoku im më i madh ka qenë, pritja që na është bërë atje nga disa oficerë që unë si njihja e paraqiteshin si shokët e Agimit. Ishim pa bukë, udhëtuam diku për 18 orë, sapo arritëm, u ulëm një restorant, na servuan do bukë dhe kafshoren e parë që ka dashur me fut në gojë, njëri nga oficerët që ishte ul përball më tha ‘zoja e Agimit je ti?, thash po.

Tha që Agimi sipas të gjitha informatave e kanë zënë gjallë ‘shkijet’. Edhe të dy duart m’kanë lëshu, për herë të parë mu lëshu krejt trupi. Vëllai i Agimit u nxi, tha çka? Tha sipas informatave e kanë zënë të gjallë. Aty më shkoi adrenalina lart, e i thash ‘a e njeh ti Agimin’, tha po e njoh. I thash ‘jo se njeh’, se priti atë reagimin timin. Thash një Agim Ramadani që e njoh unë i gjallë shkijeve në dorë nuk ju bjen”, tha ajo, duke treguar një histori se si burri i saj e kishte qepur një pjesë të vogël në këmishën e tij.

“Herën e fundit kur ishte Agimi në Zvicër duke ia la këmishat, një pjesë të vogël e kishte qepur këtu te xhepi. Thash “agim çka është kjo?’ dhe deshta me ç’kep. Tha ‘jo, jo këtu e kam plumbin për vete, se mem nxon shkijet n’dorë nuk ju bi’.

Por siç tregoi ajo, oficeri me plotë bindje ju tha se kishte informata të sigurta që Agimi ka rënë në dorë të serbëve.

Por si e mori vesh Shukrija që Agimi ka rënë duke luftuar kundër serbëve?

“Thash ‘burr i dheut, Agimi n’dorë s’ju bjen shkijeve, ai e mbyt veten’. Më tha ‘zoj unë Agimn e njoh po ti nuk i njeh shkijet’, thash ‘pse?’, po tha ‘ata s’të lan as me mbyt veten’. Dhe aty më filloi e dridhura. Se thash e kanë nxan në atë lloj mënyre që ndoshta s’mundet as me mbyt veten. Dhe për herë të parë thash ‘O Zot veç n’dorë të shkijeve mos t’ju bien’. Nga aty u çuam të tronditur komplet. Shkuam të shtëpia e vëllait të Ilmiut. Dhe isha në pritje, mbeta duke ia dëshiruar vdekjen më parë se më zënë shkijet. Merre me mend. Njeriu ynë që besoja që veç është i plagosur.

Erdhi vëllau i Ilmiut dhe po pyet a i keni tregu. Këta po ia bëjnë me kokë, jo.  Dhe ai po vjen dhe po më përqaf, tha ‘ngushëllime Agimi na ka lënë’ dhe mbeta e stepur. Thash ‘sigurt?’, tha ‘po’. Jam ul dhe kam kërkuar, afër meje ishte një gazetë dhe e kishte një fjalëkryq. Një laps afër dhe e kam mbush komplet fjalëkryqin. Për me shiqu veten a jam në rregull. Po ia bëj asaj zonjës, a bën me ma qit një kafe, tha po menjëherë. E kam pi kafen, dhe ia nisi vëllai i Agimit dhe burri i motrës teme me kajt.

Thash shikoni, për me kajt e kemi tanë jetën, po hajde po shkojmë. Tha ku? Thash po shkojmë te varrezat, apo thoni është i vdekur?! Hajde shkojmë, ta shoh. Jo tha s’është ashtu, ai është atje larg. Unë se dija, e s’kisha ide ku ishte Tropoja. Jo tha tek nesër. Thash qysh more nesër? Thash ok po dal po blej lule. Se s’dija çka me bo…Kam dal atë moment, kam ble lule, jam kthy. Dhe e luta atë nusen, për me bo një dush. Dhe kam hy e jam shfry për vete. Të nesërmen kur kemi shku atje, shkova me vendimin që…se këta më thanë që është e mundur që edhe e kanë varros….”, shprehet ndër të tjera zonja Ramadani.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...