Nesër është afati i fundit për ta dërguar Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë në Gjykatën Kushtetuese.
Kuvendi i Kosovës, me 9 shkurt 2023, miraroi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Fillimisht deputetët votuan në pako 35 amendamentet e Komisionit për Legjislacion, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Rezultati i votimit ishte 66 vota për këto amendamente, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Tutje deputetët votuan për projektligjin së bashku me amendamentet e miratuara.
Rezultati i votimit ishte 66 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, 10 deputetë kanë të drejtën e kontestimit të kushtetuetshmërisë të çdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.
Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.