Live

Azemi i kërkon Vitis që punëtorët teknikë të spitaleve të jenë me pagë 450 euro

17:53 / 21 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që punëtorët teknikë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të merren në menaxhim nga MSh-ja. Azemi pati sot një takim me ministrin Vitia.

Pasi takimi ishte i mbyllur për media, EO ka marrë një deklaratë nga Azemi, i cili ka thënë se kanë kërkuar që këta punëtorë të jenë nën menaxhim të Ministrisë dhe që paga e tyre të jetë së paku 450 euro.

“Kërkesat tona të cilat ia thamë edhe gojarisht po normal që edhe me shkresë të përgatitur e kemi lënë në tavolinë te ministrit që ai me dashamirësi e mori. Si gjithherë kërkesë prioritare ka qenë paga të cilën këta punëtorë e marrin dikun rreth 280 euro. Ne kemi bërë kërkesë që të jetë 450 euro pasi që është shumë e vërtetë që shumë kompani të tjera tek ne kanë ardhur në sindikatë dhe kanë premtuar kanë ofruar që qysh nesër mund të pranojmë punëtor teknikë me pagën 450 euro me transport dhe ushqim që në një formë ne kemi ofru ofertën tonë që nëse nuk do të jemi të kënaqur me shumën e pagës atëherë është versioni tjetër që është një version i gatshëm qysh nesër”, u shpreh Azemi.

Ai tha se punëtorët teknikë nuk janë trajtuar si duhet. Prandaj, sipas tij pagat e tyre janë të pamjaftueshme.

Kërkesë tjetër e tij ishte edhe ofrimi i një shujte ditore për punëtorët teknikë si dhe ofrimin e përkujdesjes mjekësore.

“Problemet kryesore kanë qenë paga si gjithherë, ka qenë kërkesë që punëtorët teknik të kompanive privatë që kryejnë shërbime nëpër spitale në moment kur simulohet stafi mjekësor i çdo spitali të stimulohemi edhe ne pasi që ne punojmë në të njëjtin vend, kemi kërkuar që të njihet stazhi i punës, të hiqet participimi i punëtorëve që punojnë nëpër spitale në momentin kur ata kanë ndonjë kontrolle në spitalet e Kosovës atëherë nuk do të jenë të obliguar që të bëjnë participim pasi që ata në një formë janë edhe vetë punëtor të spitalit dhe ka qenë një kërkesë e jona që këtyre punëtorëve tu mundësohet shujta në kuzhinat të cilat përgatitet ushqimi në QKUK”, u shpreh tutje Azemi.

“Të gjitha kërkesat që i kemi paraqitur ne para ministrit janë të arsyeshme, por disa kërkesa kanë implikime buxhetore dhe ai është deklaruar se në takimin e parë të premten që do të ketë me ministrin e Financave do të merret me këtë çështje”.

Azemi tha se morën zotimin nga Vitia se brenda dy javësh do t’iu përgjigjet me shkrim në këto kërkesa.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...