Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë, ka thënë se propozimi evropian do t’i çojë Kosovën dhe Serbinë deri te njohja defakto.
Në një video-bisedë për “Atlantic Council”, kreu i qeverisë kroate, ka thënë se çështja e njohjes mes dy vendeve, herët apo vonë do të paraqitet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
“Nesër bëhen 15 vjet që kur Kroacia njohu Kosovën. E dini se janë 5 vende të BE-së që ende s’e ka njohur. Kosova ka qenë një çështje e hapur në proces të institucionalizimit të raporteve mes Kosovës dhe BE-së. Ajo që kemi parë në përpjekjet, jo vetëm nga Franca e Gjermania, por edhe nga vende të Quint-it, por edhe nga Miroslav Lajçaku, një diplomat sllovak shumë me përvojë që punon nën patronazhin e Josep Borrellit, është një përpjekje për t’i çuar çështjet përpara, për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës, dhe të tentohet të shkohet në drejtimin që unë e shoh që është pothuajse njohje de-fakto, e cila me siguri, herët apo vonë, do të jetë formalisht në tavolinë”, ka thënë Plenkoviqi në këtë bisedë, raporton Klankosova.tv.
Ai tha se kjo është mënyra për të shkuar përpara, për të hequr nga tavolina çështje që janë vazhdimisht që po ngritin tensione në veri të Kosovës.
Kryeministri kroat më tej tha se vendi i tij do të mbështesë marrëveshjen që do ta arrijnë Kosova dhe Serbia.
“Përshtypja ime është se ka sinjale më pozitive për këto propozime së fundmi sesa reagimi i parë pasi propozimi iu prezantua dy palëve. Kjo është ndjenja që kam pas kontakteve direkte nga kolegët e mi në nivelet më të larta Serbi e në Kosovë, dhe mendoj se do të takohen sërish në Bruksel, dhe ky është proces i bisedimeve para nesh, sigurisht që i mbështesim atë që të dyja palët përfundimisht do të pajtohen dhe merren vesh, veçanërisht për sa i përket stabilitetit, dhe në njëfarë mënyre hapjen e rrugës për të dyja drejt BE-së, dhe po ashtu për Kosovën që dëshiron të shkojë më shpejt se që ka shkuar deri më tani”, potencoi Plenkoviq.
Sipas tij, BE-së i duhet stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Kemi mjaft destabilizim me agresionin rus në Ukrainë dhe duhet të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë mbi stabilitetin e Ballkanit, sepse gjëja e fundit që Perëndimi do të ketë nevojë është një destabilizim tjetër në fqinjësi”, tha ndër të tjera kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.