Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës zyrtare në Athinë është takuar me zyrtarë qeveritarë dhe deputetë të Parlamentit të Greqisë.
Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka bërë të ditur se përveç ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias, ka takuar edhe deputetët Dora Bakoyannis dhe George Papandreou.
Me këta të fundit, ai ka thënë se ka biseduar mbi zhvillimet në lidhje me rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian dhe hapat e ndërmarra si dhe procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.
“Përgjatë këtyre takimeve, shpreha solidaritetin dhe mbështetjen e Kosovës ndaj Greqisë në këtë moment të vështirë pas aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur gjatë kësaj jave. Trajtuam marrëdhëniet Kosovë-Greqi dhe mundësitë e thellimit të tyre. Synimi ynë është të forcojmë miqësinë dhe partneritetin me Greqinë”, ka shkruar tutje ai.