Më 18 mars 2023 Vuçiqi dhe Kurti do të takohen sërish nën ndërmjetësimin e BE-së. A do të jetë i suksesshëm propozimi perëndimor për kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, apo dështimi i radhës?
Presidenti rus Vladimir Putin e ka përdorur gjithmonë mosmarrëveshjen e vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës si justifikim për sulmet e tij ndaj Ukrainës. Perëndimi lejoi që Kosova, e cila është e banuar pothuajse ekskluzivisht nga shqiptarë, të ndahej nga Serbia 15 vjet më parë. Kjo është arsyeja pse Perëndimi duhet t’i lejojë tani Rusisë të marrë përsëri zonat që historikisht i përkisnin asaj, si Krimea ose Ukraina lindore, thotë Putini. Nisur prej kësaj Perëndimi po nxiton tani që pas dekadash të zgjidhë përfundimisht konfliktin e Kosovës, në mënyrë që t’i heqë një pretekst nga dora sundimtarit të Kremlinit, raporton DW.
Rezultati i përpjekjeve perëndimore ishte propozimi gjermano-francez i nëntorit 2022, i cili u publikua si qëndrim i BE-së në fund të shkurtit 2023. Thelbi i dokumentit të ndërmjetësimit që përmban njëmbëdhjetë pika është që të dyja palët të njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Serbia heq dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Nga ana e saj, Kosova mundëson nga e saj krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili ka qenë i diskutueshëm për dhjetë vjet, dhe garanton mbrojtje të veçantë për kishat dhe manastiret e shumta ortodokse serbe të periudhës mesjetare në vend.
Edhe SHBA-ja e mbështet propozimin. Dhe për javë të tëra, diplomatë të lartë nga Brukseli dhe Uashingtoni po bëjnë pelegrinazhe në kryeqytetet e të vendeve, Beograd dhe Prishtinë, për të bindur Serbinë dhe Kosovën që të pranojnë propozimet. Nëse u besojmë lajmeve në mediat e të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, të dërguarit perëndimorë kanë kërcënuar me izolim politik dhe ekonomik nëse nisma e tyre e fundit refuzohet përsëri – si ka ndodhur shpesh në të kaluarën.
Takimi me Borrellin
Pas takimit mes Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti (më 27 shkurt 2023) shefi i politikës së jashtme të Brukselit, Josep Borrell, njoftoi se të dyja palët e kishin pranuar dokumentin e ndërmjetësimit të BE-së, gjë që sipas tij hap derën për zgjidhjen përfundimtare të këtij konflikti të përhershëm evropian.
Por pas kthimit nga Brukseli, as në Beograd dhe as në Prishtinë nuk u dëgjua ndonjë gjë për kinse angazhimet e bëra në selinë e BE-së. Presidenti Vuçiq siguroi se Serbia nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Kryeministri Kurti u betua në Kuvendin e Prishtinës se si një asociacion i komunave serbe me autonomi dhe vetëqeverisje ashtu edhe një mbrojtje speciale për thesaret kulturore serbe nuk shtrohen për diskutim.
Qëndrimet shqiptare dhe serbe përjashtojnë njëra-tjetrën
Sjellja e Kurtit dhe e Vuçiqit as të habit as të befason, sepse Kosova dhe Serbia kanë për çështjen e Kosovës qëndrime që nuk përputhen as në minimum. Ngjashëm me palestinezët dhe izraelitët në Lindjen e Mesme, dy popuj pretendojnë të njëjtin territor. “Kosova është zemra e Serbisë,” argumenton Beogradi, duke iu referuar ndërtesave historike dhe fushave mesjetare të betejës. Kurse shqiptarët e shohin veten si popull autokton në Kosovë – ku prej kohësh përbëjnë shumicën absolute të popullsisë.
Dhe edhe më e rëndësishme është që sidomos në Serbi, çështja e Kosovës ka qenë çështja më e rëndësishme e të gjitha forcave politike për dekada me radhë. Për shembull, ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, e përdori konfliktin e Kosovës për t’u ngjitur në pushtet . Më vonë, politikani demokrat Vojislav Koshtunica e ankoroi pretendimin e Serbisë për Kosovën në kushtetutën serbe. Presidenti i fundit demokratik i Serbisë, Boris Tadiç, gjithashtu e vuri çështjen e Kosovës në qendër të agjendës së tij politike. Pra nuk është çudi që ajo është edhe baza e sundimit të presidentit Vuçiq.
Asnjë kritikë perëndimore ndaj Vuçiqit
Meqenëse Perëndimi thotë se ka nevojë për kreun e shtetit të Serbisë për të arritur një kompromis me shqiptarët e Kosovës, Brukseli tregohet i përmbajtur ndaj çdo kritike sado të vogël kundrejt sistemit gjithnjë e më autoritar të sundimit të Vuçiqit. Pikat kryesore të politikës së Vuçiqit janë eliminimi i të gjitha institucioneve të pavarura shtetërore, instrumentalizimi i gjyqësorit, censura e medias dhe dominimi i sistemit ekonomik nga ndjekësit besnikë.
“Mitet e së kaluarës dhe mbi të gjitha miti se Kosova është tokë e shenjtë serbe, shërbejnë vetëm që të na pengojmë të mendojmë për të sotmen”, kritikon gazetari serb Milojko Pantic. Edhe kolumnisti opozitar Dejan Iliç e di se “Vuçiqi ka vite që i shmanget çdo detyrimi, jeton nga kriza dhe krijon spektakle të ndryshme që të mos zgjidhet asnjë nga problemet e Serbisë”. Nga kjo rezulton se “nëse e zgjidh krizën e Kosovës, ai nuk do të jetë më i nevojshëm”.
Takimi në Ohër
Më 18 mars 2023, Vuçiqi dhe Kurti do të takohen sërish nën ndërmjetësimin e BE-së. Këtë herë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në këtë takim të dyja palët do të duhet të pranojnë, nëse vërtet duan të heqin dorë nga vijat e tyre të demarkacionit – siç pretendon Brukseli. Se si mendohet se do të funksionojë kjo, mbetet për momentin një mister. Sepse për shembull Vuçiqit do t’i duhet t’i japë dritën e gjelbër anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare – dhe megjithatë ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në OKB.
Kurse Kurti duhet të mundësojë asociacionin e komunave serbe – edhe pse e kundërshton çdo formë institucionale dhe territoriale të këtij asociacioni dhe dëshiron ta kufizojë mbrojtjen e pakicave vetëm tek persona të veçantë. E sa i përket mbrojtjes së veçantë të manastireve dhe të kishave serbe për të cilën po përpiqet Beogradi, opozita në Kosovë tashmë po thotë se në të ardhmen do të duhet të tregosh pasaportën për të vizituar këto pasuri kulturore.
Duke pasur parasysh këtë situatë të përzier, pa dyshim që kërkohet nivel i lartë i artit diplomatik për të rënë dakord për të papajtueshmet. Por pas përvojave të dekadës së kaluar me politikën ndaj Ballkanit Perëndimor, duhet të kemi frikë se do të ketë përsëri një kompromis me të cilin të gjithë mund të identifikohen – por i cili nuk do t’i ndryshojë problemet e vërteta.