UNDP-ja, programi në Kosovë, ka publikuar raportin “Përmbledhja e Pulsit Publik XXIII” nga i cili rezulton se ka një rënie të kënaqshmërisë së qytetarëve me performancën e qeverisë, por edhe me atë të legjislativit dhe gjyqësorit.
Sipas këtij raporti, ka një rënie prej 7.7 pikë të përqindjes së kënaqshmërisë për performancën e kryeministrit për një periudhë gjashtëmujore, ndërkaq edhe për performancën e qeverisë ka rënie prej 6.2 pikë të përqindjes, raporton Klankosova.tv.
“Në anketën e opinionit tetor-nëntor 2022, niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41%, një rënie për 6.2 pikë përqindjeje nga anketa e prillit 2022 kur ishte 47.2%. Niveli i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit kapi vlerën prej 44.9%, një rënie për 7.7 pikë përqindje nga prilli 2022 kur ishte 52.6%”, thuhet në raport.
Ndërkaq, në raportin me anketën e majit të vitit 2021, kënaqshmëria ndaj performancës së kryeministrit Albin Kurti ishte 59.50%, kurse e performancës së ekzekutivit 59.10%.
Gjithsej kanë qenë një mijë e 306 të anketuar nga data 21 tetor deri më 3 nëntor 2022 në gjithë territorin e Kosovës, me numër të barabartë të meshkujve dhe femrave dhe grupeve etnike që jetojnë në Kosovë.