Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, është caktuar për të martën, 4 prill, kanë konfirmuar zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të shkojnë javën e ardhshme në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë zyrtarët evropianë.
Të hënën, më 28 mars, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky takim do të organizohet me ftesë të ndërmjetësuesit të dialogut, Mirosllav Lajçak.
Takimi i negociatorëve kryesorë është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka raportuar për rezultatin e takimit në Ohër, para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe para udhëheqësve të shteteve të bllokut evropian.
Në samitin e mbajtur më 23 dhe 24 mars në Bruksel, liderët e BE-së kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, dhe u kanë bërë thirrje të dyja palëve të “përmbushin obligimet e tyre në mënyrë të shpejtë dhe në mirëbesim”.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.