Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë djegur edhe tri vetura në veri të vendit, raporton Gazeta Blic.
Dy veturat e para janë djegur në Leposaviq afër çerdhes së fëmijëve saktësisht në orën 03:40 të mëngjesit.
Ndërsa vetura e tretë është djegur po ashtu në Leposaviq afër qendrës së Sporteve.
“Gazeta Blic” i ka dërguar pyetje Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në lidhje me këtë situatë dhe çfarë veprimesh do të ndërmarrin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në thirrjet dhe mesazhet e redaksisë.
Ndërkohë Sveçla nuk ka patur reagim as në rrjetet sociale për këto ngjarje që po ndodhin në Veri.
Djegia e veturave në Veri ka filluar që nga data 30 mars, ku dy veturave me targa RKS ju vendos zjarri.
Ndërsa me datën 31 mars, u dogjën edhe tri të tjera të cilat i’u përkisnin pronarëve të nacionalitetit serb por të regjistruara me targa RKS.
Veturat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri, ka njoftuar Policia e Kosovës.
“Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore” njofton Policia.
Njohësit e fushës së sigurisë në vend, djegien e veturave në Veri e kanë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Kjo që po ndodh tregon vazhdimësinë e përdorimit të ekstremit serb në Veri të Kosovës në kuadër edhe të marrëveshjes por edhe të përgatitjes për zgjedhjet në Veri të Kosovës. Mendoj se Policia e Kosovës duhet ta shtojë prezencën fizike .Lista Serbe tashmë ekstremisht po vlerësohet si dorë e zgjatur e Vuçiqit për interesat e tij por edhe interesat e interferimit në Kosovë. Nuk duan të dëgjojnë zë tjetër të ndonjë subjekti tjetër që është konkuret në zgjedhjet në Veri. Mendoj se kjo situatë do të vazhdojë derisa Policia të del me të gjeturat rreth këtyre rasteve, për këtë arsye mendoj se është e nevojshme të shtohet më shumë prezenca, të alarmohet Bashkësia Ndërkombëtare në lidhje me atë se çfarë po ndodh” deklaroi për “Gazeta Blic” eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.