Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po akuzohet për krime lufte nga Specialja, ka mohuar pretendimet e Prokurorisë.
Ai ka thënë se është tërësisht i pafajshëm e se i vjen keq për të gjitha viktimat. Thaçi ka thënë se është i kënaqur që procesi ka dëshmuar se s’ka pasur trafikim organesh nga UÇK-ja.
Ndërsa Prokuroria Speciale e Hagës në një moment kan thënë se Thaçi kishte qenë disa herë fshehurazi në Hagë për të dëshmuar para Prokurorisë.
Sot ish-presidenti Thaçi ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve duke mohuar se një gjë e tillë është e vërtetë.
Thaçi tha sot se bashkëpunimi i tij ka qenë në interes të drejtësisë.
“Unë jam intervistuar nga gjithë mekanizmat ndërkombëtar, qoftë si dëshmitar apo i dyshuar. Çdo bashkëpunim i imi ka qenë në interes të drejtësisë, dhe plotësisht transparent, qoftë në Prishtinë qoftë në Hagë. Gjithçka çka thuhet tjetër është e paqëndrueshme”, ka thënë Thaçi gjatë fjalës së tij sot.
Prokurori i Specializuar, Alex Whiting dje ka deklaruar se Hashim Thaçi ka dëshmuar disa herë fshehurazi në Hagë.
“Dëshmitarëve do t’u duhet guxim për shkak të frikës apo edhe besnikërisë së gabuar ndaj të akuzuarve. U takon gjykatësve si të vlerësojnë dëshminë duke parë dhe atmosferën e krijuar nga ky gjykim. Mes nesh nuk ka shumë pika në të cilat pajtohemi, por i takon Prokurorisë barra për të provuar çdo krim për të cilin ngrihet akuzë, këtë barrë e pranojmë. Mbrojtja nuk ka asnjë barrë dhe mund të qëndrojnë të heshtur përballë akuzave. Fjalët e tyre duhet të merren në konsideratë nëse kanë bërë pohime, apo mohime të rreme dhe ka pasur dhe prej këtyre. Nëse konstatoni se të akuzuarit kanë mohuar në mënyrë të rreme një fakt, pyetja që duhet t’i bëni vetes është: përse? Do t’ju jap vetëm një shembull nga provat. Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për një intervistë me prokurorët, të inçizuar. Mes një sërë pranimesh të rëndësishme ai mohoi shumëçka për rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm. Ai pretendoi se deri në Nëntor të vitit 1998 Shtabi nuk kishte asnjë funksion dhe pas asaj date ekzistonte vetëm në letër. Këto pretendime ishin të rreme, bien ndesh dhe me deklaratat e tyre dhe me provat e shumta që do të paraqiten gjatë këtij gjykimi. Ju sugjerojmë t’i bëni vetes këtë pyetje zoti gjykatës: Pse zoti Thaçi bëri pretendime të rreme, çfarë po fshihte”, ka deklaruar Whiting para trupës gjykuese.