Të shpejta qenë reagimet në ditën kur Muzeu i Muzikës në Gjakovë mori flakë, pasditen e 30 gushtit të sivjetmë. Autoritetet lokale e qendrore u zotuan për ndërhyrje emergjente, por kur kanë kaluar më shumë se një muaj, imazhi mbetet i njëjtë, përderisa monumenti po degradohet dita-ditës. Nisja e punimeve për rindërtim nuk duket afër, Komuna e Gjakovës ka ndarë 100 mijë euro për në mot e projekti sipas kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, është në fazën e përgatitjes
Imazhi i Muzeut të Muzikës në Gjakovë është i pandryshueshëm me atë të më shumë se një muaji më parë, kur iu vu zjarri. Veçse pjesa e kulmit ka rënë më dukshëm, si pasojë e djegieve, e hapësira brenda rrethojave të tij ka nisur të mbushet me mbeturina. Ajo që ngjau qe një lloj alarmi për objektin kulturor “fantazmë” që mbrohej me letra. Menjëherë qe bërë e ditur se do të rindërtohet me të njëjtin destinim. Deklaratat e zotimet qenë të shpejta, por punët duken ende larg, ani pse ishin paralajmëruar ndërhyrje emergjente.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se po përgatitet projekti dhe se për të kanë ndarë buxhet prej njëqind mijë eurosh për vitin që vjen.
“Komuna e Gjakovës është në fazën e përgatitjes së projektit për rindërtimin e objektit të Muzeut të Muzikës, po ashtu Komuna ka ndarë shumën prej 100.000 eurosh për vitin 2024”, ka thënë Gjini.
Qysh në fillim, Muzeun e Muzikës obligohej ta mirëmbante sipërmarrësi që merrte në shfrytëzim kafenenë në katin përdhese. Sipas kryetarit Gjini, prapë planifikohet e njëjta praktikë.
“Komuna, për t’i parandaluar rreziqet e dëmtimit të objektit planifikon prapë që për objektin – Muzeun e Muzikës, të procedojë për dhënie në shfrytëzim, si rrjedhojë, shfrytëzuesi do të kujdeset për të parandaluar dëmtimet eventuale të objektit”, ka thënë ai.
Objekti i Muzeut në atë që njihet si “Taphanja” – që mbrohet si monument i shekullit XVII – ishte ndërtuar në vitin 2012 dhe i inauguruar si Muze i Muzikës në korrik të vitit 2016. Për vite të tëra ishte jo i qasshëm dhe jofunksional që prej inaugurimit.
Projektin për ta kryer këtë funksion e kishte përpiluar muzikologu Behar Arllati.
Në njëmujorin e djegies, ka kujtuar se veç një ditë, atë të inaugurimit, kishte shërbyer si Muze.
“Më 2016-n u inaugurua, atëherë ka qenë kryetare Mimoza Kusari-Lila dhe vetëm në atë ditë Muzeu ka punuar ‘de facto’ dhe më jo, sepse nuk kishte kush të kujdesej për të. Komuna thoshte i takon Ministrisë, Ministria thoshte te Komuna. Nuk e di kujt i takon, e di që e kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, kemi hequr duke e bërë, pasi duheshin eksponate. Unë personalisht kam sjellë me dhjetëra eksponate të mia personale”, ka thënë Arllati para Muzeut tashmë pa kulm. Ka thënë të ketë sjellë dorëshkrime, instrumente e lloj-lloj eksponatesh me të cilat ishte pasuruar Muzeu, por se nuk kishte përkujdesje për to.
“Kam sjellë dorëshkrime të Palokë Kurtit, Prenk Jakovës, Esat Rizvanollit, Avni Mulës, Rauf Dhomit, Zeqirja Ballatës, plus instrumente të shumta, libra, disqe, kasetofonë, shirita, lloj-lloj. Madje profesori Rauf, që ka qenë edhe profesor imi, na dha lejen të marrim pianon e tij me të cilën e ka kompozuar operën ‘Goca e Kaçanikut’ ta sjellim këtu. Është një piano rreth 110 vjet e vjetër, sido që të jetë e kompletuan dhe u inaugurua”, ka thënë muzikologu nga Gjakova.
Ka përsëritur se pasojë e djegies së Muzeut ka qenë neglizhenca e Komunës së Gjakovës dhe e Ministrisë së Kulturës. Ka bërë të ditur se MKRS-ja e ka ftuar “për të parë se çfarë po bëhet”.
“Unë kam ftesë prej Ministrisë së Kulturës, më kanë ftuar të paraqitem në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe të shohim çfarë po bëhet. Ministria e Kulturës ka marrë përsipër ta kthejë në formën që ka qenë. Faktikisht, unë duhet ta dërgoj projektin, objekti duhet të ndërtohet sipas parametrave që i ka zyra e trashëgimisë kulturore në Gjakovë. Pastaj funksionalizimi duhet të bëhet sipas projektit që e kam ideuar”, ka thënë Arllati. Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa sigurie, institucioni do ta ketë fatin e njëjtë edhe pas rindërtimit.
Një ditë pas djegies së Muzeut më 30 gusht, Ministria e Kulturës kishte bërë të ditur se ishin një varg masash që autoritetet përkatëse ishin pajtuar të ndërmerren. Prej atyre që u përmendën ishin “zbatimi i masave emergjente, vlerësimi i dëmeve, procedimi i shpejtë për ndërhyrje dhe implementimi i punëve për konservimin, restaurimin dhe funksionalizimin e ndërtesës”. Deri më tash, të paktën në terren, nuk janë parë shenja të ndërmarrjes së hapave drejt rindërtimit të Muzeut.
Objekti më parë u ka bërë vend veglave të ndryshme muzikore, si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës, apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”.
“Me siguri se mungojnë shumë eksponate nga ato me të cilat e kemi furnizuar. Ka pasur instrumente të ndryshme, si dajre të shqyera prej luftës dhe ne i kemi lënë ashtu për të treguar barbarinë e pushtuesve serbë. Ka pasur edhe mandolina, kontrabasë, një fagot, kitara, plus të tjerat. Sot nuk është asnjë dhe nëse është diku ndonjë instrument do të gëzohesha shumë, por nuk kam informata për momentin. Kjo është fatkeqësia, neglizhenca e pushtetit aktual, i Mimoza Kusari-Lilës dhe Adrian Gjinit”, ka thënë muzikologu Behar Arllati.
Për eksponatet e Muzeut, kryetari Gjini ka thënë se “janë të ruajtura në objektet e tjera të trashëgimisë kulturore në Komunën e Gjakovës”.
Historia e shkatërrimit të muzeut nuk është e re. Inventar të dëmtuar, mbeturina e mure të shkarravitura krijonin katrahurë e tollovi brenda institucionit kulturor. Deri vonë e shënjonte vetëm pianoja e akademik Rauf Dhomit, me të cilën ishte kompozuar opera e parë e Kosovës “Goca e Kaçanikut”, e cila ishte bartur në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova”. Një pjesë e historisë së muzikës në vend varej nga ky muze.
Një ditë pas zjarrvënies, Policia e Kosovës kishte njoftuar se të dyshuar për kryerjen e veprës ishin tre të mitur.
“Më datë 31.08.2023, pas një pune intensive, hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë tre persona (fëmijë nën moshën 14-vjeçare), të dyshuar si kryes të mundshëm të veprës. Pas dëgjimit të tyre në prezencën e akterëve të nevojshëm në konsultim me prokurorin e çështjes të njëjtit janë liruar dhe rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, ishte shkruar në komunikatën e Policisë./Kosovalive.net/