Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se një person ka mbetur i vdekur si pasojë e aksidentit të sotëm që ka ndodhur në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
“Sot rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale”, bëri të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një biçiklist dhe një automjet në lëvizje (kamion)”.
“Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar biçiklisti, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë . Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”.
Ahmeti ka thënë që policia e ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave që shpien te ky aksident.