Policia e Kosovës ka identifikuar një lokacion të mbjellur me bimë narkotike si dhe parandalimin e kontrabandimit të mallrave.
Përmes një komunikate, bëhet e ditur se pas një pune operative në një zonë të thellë malore në Gjakovë, konkretisht në brezin kufitar me Shqipërinë, kanë lokalizuar vendin ku kultivoheshin bimë narkotike, ku janë gjetur dy parcela, në të cilën kishin qenë të mbjella 150 bimë narkotike, raporton gazeta online Reporteri.net.
Tutje, thuhet se Policia e Kosovës ka komunikuar me Policinë e Shqipërisë, me ç’rast pastaj është bërë asgjësimi i bimëve narkotike në vendin e ngjarjes.
“Me datën 13.09.2024 Njësitet e Policisë Kufitare nga DRPK “Perëndimi” në Gjakovë, gjatë implementimit të një plani operativ, pas një pune operative dhe hetimore në një zonë të thellë malore, konkretisht në brezin kufitare me Shqipërinë, ka lokalizuar vendin ku dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike. Njësitet e Specializuara Kufitare, së bashku edhe njësinë e Antidrogës në Gjakovë, kanë shkuar në lokacionin e dyshuar dhe në vendin e ngjarjes i kanë gjetur dy parcela, në të cilën kishin qenë të mbjella 150 bimë të dyshuara narkotike (kanabis sativa) me gjatësi 1 deri ne 2 m. Të gjitha veprimet lidhur me rastin janë kryer në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, është iniciuar rasti “Kultivim i bimëve narkotike”, është bërë asgjësimi i bimëve narkotike në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatë.
Në rastin e dytë, në fshatin Sublinë, gjatë kontrollit të një veturë të një shtetase serbe, janë gjetur mallrat të ndryshme në sasi të mëdha, përfshirë pajisje elektronike, tekstil dhe produkte higjienike.
“Me datën 12.09.2024 gjatë vëzhgimit të brezit kufitar të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në fshatin Stublinë zyrtarët policorë të angazhuar në plan operativ, kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitar Dobrosin-Stublinë. Nga njësitet e angazhuara policore në fshatin e lartcekur është ndaluar automjeti i dyshuar me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte e dyshuara femër me shtetësi serbe, si dhe një pasagjer. Gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar kishte pasur të ngarkuara mallra të ndryshme në sasi të mëdha, përfshirë pajisje elektronike, tekstil dhe produkte higjienike”, thuhet më tej në komunikatë.
Ndërkaq, në rastin e tretë, në rrugën Stublinë-Doberqan, janë ndaluar dy vetura me targa të huaja, të cilat po drejtoheshin nga dy kosovarë, ku gjatë kontrollit të automjeteve, janë gjetur mallra e pjesë të ndryshme të automjeteve, pajisje bujqësore dhe mjete tjera pune.
Po ashtu, bëhet e ditur se malli dhe veturat e sekuestruara janë dorëzuar në terminalin doganor.
“Me datën 13.09.2024, gjatë vëzhgimit në brezin kufitar të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në rrugën Stublinë-Doberqan, zyrtarët policorë të angazhuar në planin operativ, pasi kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në një rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitare Dobrosin-Stublinë, ku në hyrje të fshatit Dobërqan kanë ndaluar dy vetura me targa të huaja, të cilat po drejtoheshin nga dy të dyshuarit meshkuj shtetas kosovarë. Gjatë kontrollit të automjeteve të ndaluara, janë gjetur të ngarkuara mallra/pjesë të ndryshme (të përdorura) të automjeteve, pajisje bujqësore dhe mjete tjera pune. Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit kompetent, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli dhe automjetet e sekuestruara janë dorëzuar në terminalin doganor për numërim, vlerësim dhe procedim nga ana e Doganës së Kosovës”, thuhet në përfundim të komunikatës.