Komuna e Prishtinës ka shpallur tender për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, ndonëse me këtë punë merret Ndërmarrja Komunale “Pastrimi”. Për këtë veprim të komunës së Përparim Ramës është alarmuar Bordi i kësaj ndërmarrjeje.
Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” është alarmuar pasi Komuna e Prishtinës është duke tentuar të angazhojë kompani private për grumbullimin e mbeturinave, e cila rrezikon falimentimin e Ndërmarrjes “Pastrimi” me rreth 900 punëtorë.
Bordi në një letër që ia ka nisur drejtuesve të Komunës së Prishtinës, përfshirë kryetarin Përparim Rama, ka thënë se janë thellësisht të shqetësuar nga veprimet dhe deklaratat e Komunës së Prishtinës, të cilat i konsiderojnë të papërshtatshme dhe pa bazë ligjore në raport me këtë Ndërmarrje Publike, përcjell Demokracia.com.
“Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” SH.A, në mbledhjen e muajit Tetor 2024, ka vendosur të ngrit shqetësimin e tij përmes këtij reagimi në lidhje me veprimet dhe deklaratat e fundit të Komunës së Prishtinës, të cilat kanë të bëjnë me angazhimin e operatorëve privatë të tjerë për grumbullimin e mbeturinave dhe situatën në të cilën rrezikohet Ndërmarrja Publike Rajonale KRM “Pastrimi” Sh.A. Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” SI-I.A. është thellësisht i shqetësuar nga veprimet dhe deklaratat e Komunës së Prishtinës, të cilat i konsiderojmë të papërshtatshme dhe pa bazë ligjore në raport me këtë Ndërmarrje Publike. Deri më tani, nuk kemi bërë reagime publike, duke shpresuar se Komuna e Prishtinës do të vepronte në përputhje me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, si dhe me aktet përkatëse dhe kontratat e nevojshme, me qëllim të realizimit të obligimeve të ndërsjella ligjore”.
Bordi ka shtuar se angazhimi i një kompanie private vë në rrezik serioz funksionimin dhe stabilitetin financiar të ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Angazhimi i operatorëve privatë për shërbimin të cilën tashmë ofron KRM “Pastrimi” SH.A., ndërkohë Komuna e Prishtinës është aksionari kryesor me 77.4% të aksioneve (sipas nenit 13.5 te Statutit të KRM “Pastrimi” SH.A.), përbën një anashkalim të këtij subjekti publik dhe paraqet shkelje serioze të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Shtimi i operatorëve privatë dhe, më konkretisht, ndalimi i faturimit nga KRM “Pastrimi” SH.A., është një rrezik serioz për funksionimin dhe stabilitetin financiar të ndërmarrjes”.
Në këtë letër thuhet po ashtu se Komuna e Prishtinës është duke shkaktuar humbje milionëshe për kompaninë “Pastrimi”.
“Kjo, duke pasur parasysh se vetëm në situatën aktuale, sipas angazhimit të operatorit privat të cilin e ka bërë Komuna e Prishtinës në mënyrë te njëanshme nga muaji Maj 2024 është duke sjellë dëme financiare për secilin muaj në ndalesa të pagesave të faturave të KRM “Pastrimi” në më shumë se 140 mijë euro në muaj. Në total dëmi financiar arrin vlerën totale prej 703,659.32 Euro vetëm për një periudhë pesë mujore. Me këto veprime shprehim shqetësimin tonë për rrezikimin e stabilitetit financiar dhe ekzistencën e ndërmarrjes. Nuk është në gjendje të mbulojë tërësisht rajonin e Prishtinës dhe se ështe e nevojshme angazhimi i operatorëve privatë për “ndihmë”, përfshirë edhe marrjen e faturimit apo të hyrave nga bizneset, janë të pabazuara dhe të papranueshme për Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes. Kjo pasi ne jemi të ndërgjegjshëm për situatën aktuale dhe se në vazhdimësi kemi ndërmarrë veprime të nevojshme për shtimin e kapaciteteve në kamionë, duke i përmbushur me sukses obligimet si kompani, karshi premtimeve të komunës si aksionari kryesor që ka dhënë ndër vite për furnizim me kamion të rinj e të cilët ende tash e 2 vite nuk janë përmbushur dhe për të cilët jemi në pritje”.
Bordi thotë gjithashtu se ndërmarrja “Pastrimi” për herë të parë është duke operuar mirë financiarisht.
“Lidhur me gjendjen financiare të ndërmarrjes, përmendim Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Vitin 2023, ku KRM ”Pastrimi” SH.A. ka arritur për herë të parë të marrë një Raport të Pamodifikuar të Pasqyrave Financiare. Kjo tregon se gjendja e Ndërmarrjes nuk është aq e brishtë sa po paraqitet dhe se kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës. Përmendim këtu ngritjen e pagave, riparimin e mjeteve të vjetra, përmirësimin e kushteve të punëtorëve, e në veçanti edhe marrjen me qira të shtatë kamionëve, si dhe tash së fundmi edhe furnizimin me dhjetë kamionë të rinj të destinuar vetëm për Komunën e Prishtinës, e shumë të tjera dhe të giitha këto me mjete vetanake të kompanisë, pa asnjë mbështetje nga ana juaj si aksionari kryesor. (Çdo tentativë për të përfshirë operatorë privatë, pavarësisht arsyetimit për ”ndihmë”, është një rrezik i mundshëm për Ndërmarrjen. Ne besojmë që bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Komunës si aksionar dhe Ndërmarrjes Publike është thelbësor për të siguruar përmirësimin e shërbimeve të pastrimit në qytet, pa pasur nevojë për ndërhyrje të palëve të treta”.
Ndërmarrja “Pastrimi” përmes kësaj letre të Bordit ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të nënshkruhet kontrata për shërbime.
“Në këtë kontekst, kërkojmë që të nënshkruhet kontrata për shërbime me KRM ”Pastrimi” SH.A. për një periudhë afatgjatë, pasi mosnënshtrimi i kësaj kontrate deri në muajin janar 2025 do të shkaktonte pasoja të rënda jo vetëm për Ndërmarrjen, por edhe për pastërtinë dhe mirëqenien e qytetit të Prishtinës. Kjo përfshin edhe rrezikun për të humbur mundësinë për të marrë një grant të rëndësishëm prej 24.1 milion € nga KfW e Gjermanisë, një mundësi që është thelbësore për zhvillimin afatgjatë të shërbimeve të pastrimit dhe për një të ardhme më të pastër dhe të qëndrueshme për qytetin tonë”.
Për këtë arsye, kërkojmë që Komuna e Prishtinës të angazhohet për një bashkëpunim më të ngushtë me KRM ”Pastrimi” SH.A., të mbështesë këtë ndërmarrje dhe të sigurojë një kornizë ligjore dhe financiare të qëndrueshme për të ardhmen e pastrimit të qytetit. Sikurse që zotohemi që edhe ne si ndërmarrje me punë dhe angazhime, do të jemi krah i sukseseve në përmirësimin e gjendjes me grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.