Presidenti amerikan, Joe Biden raportohet se ka rënë dakord të dhurojë mina tokësore për Ukrainën.
Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane, i cili foli për BBC-në në kushte anonimiteti, Ukraina do të marrë një dërgesë minash së shpejti.
Uashingtoni ka bërë të ditur se minat do të përdoren në territoret e kontrolluara nga Ukraina, duke siguruar se ato nuk do të vendosen në zona me popullsi të dendur për të shmangur rrezikun për civilët.
Kjo masë shihet si një përpjekje e administratës Biden për të ngadalësuar avancimin e trupave ruse në Ukrainën lindore, ku forcat e Kremlinit kanë bërë përparim të ndjeshëm muajt e fundit.
Rusia ka përdorur gjithashtu mina tokësore në territorin ukrainas që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022.
Ky vendim vjen pak para fundit të administratës Biden, e cila po përpiqet të përforcojë përpjekjet luftarake të Ukrainës, para se ish-Presidenti Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Ndërkohë, tensionet në luftën në Ukrainë janë përshkallëzuar pasi Biden ka autorizuar përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi ATACMS nga Ukraina për të sulmuar territorin rus, një veprim që ka nxitur një reagim të ashpër nga presidenti rus Vladimir Putin.
Ai ka shpallur zgjerimin e doktrinës bërthamore ruse në përgjigje të këtij vendimi.