Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka publikuar pamjet nga njëra nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë e Kosovës.
Kurti tha se ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që janë bërë për ushtrinë e Kosovës. Ai tha se kjo është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë është blerë.
“Mbrëmë së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituam njërën nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë tonë.
Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë.
Ngritja e kapaciteteve tona ushtarake ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti.
Buxheti për fushën e mbrojtjes për vitin 2025 është paralajmëruar të jetë me një rritje prej 55 milionë euro më shumë se këtë vit. Për vitin 2025 janë projektuar 208 milionë buxhet për këtë Ministri. Ndërsa për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, më 30.10.2024, tha që për vitin 2025, që në fillim buxheti i Mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro. Kurti tha se buxhetin për mbrojtjen e kanë rritur, përderisa në dy vitet paraprake nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor e kanë arritur tek pas ndarjeve të reja gjatë vitit me vendime të Qeverisë. “Për vitin 2025 që në fillim buxheti i mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro”- tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë