Live

Presidenca: Mosveprimi i drejtësisë po inkurajon kërcënimet ndaj Presidentes Osmani

20:44 / 19 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kërcënimi i fundit ndaj Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, është vetëm një hallkë në zinxhirin e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë që ajo ka marrë ndër vite.

Kështu ka deklaruar këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, duke theksuar se institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ndaj autorëve të këtyre kërcënimeve, pavarësisht identitetit shpesh të qartë të tyre.

“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se shumica e kërcënimeve janë bërë publikisht, madje edhe në emisione televizive, dhe se autorët shpesh janë të identifikueshëm me emër e mbiemër, por prapëseprapë nuk janë marrë masa.

“Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen”, ka paralajmëruar Kupina.

Ai e cilësoi situatën si një klimë të rrezikshme që nxit dhunë, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të rendit kushtetues.

Shpërndaje në

U Kopjua