Ish-shefi i hetimeve në IPK, Jetullah Aliu ka thënë që rasti i fundit i 27 vjeçarit në Lipjan duhet të ketë një hetim të veçantë.
Ai në një postim në Facebook ka thënë që përmes hetimit të të shpejt duhet të përcaktohet se a është tejkaluar ndonjë kompetencë ligjore nga zyrtarët policorë.
Rasti i fundit në Lipjan dhe rastet tjera, ku një person humbi jetën gjatë ose pas ndërveprimit me njësitë policore, paraqet një situatë që kërkon vëmendje të veçantë institucionale dhe trajtim të menjëhershëm procedural e penal dhe diciplinor.
Duke u nisur nga përvoja ime profesionale si ish-Shef i Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, dhe tani si Avokat, më lejoni të theksoj se çdo rast ku një qytetar humb jetën në kontakt me forcat e rendit, është objekt i hetimit të detyrueshëm penal dhe disiplinor, dhe kerkon analizë mbi proporcionalitetin dhe ligjshmërinë e përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve policorë.
Andaj, IPK dhe Prokuroria kompetente të zhvillojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar zbardhjen e çdo rrethane përmes ekspertizave mjeko-ligjore, pamjeve video, raporteve operacionale dhe dëshmive të palëve.
Të përcaktohet qartë nëse është tejkaluar ndonjë kompetencë ligjore nga ana e zyrtarëve policorë, në përputhje me nenin 35 të Ligjit për Policinë dhe me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.