Live

Pushteti i sulet kryeprokurorit Blerim Isufaj, nervozohen pse po ua heton kontratat për dy urat mbi Ibër

21:38 / 10 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Si çdo herë tjetër edhe kësaj radhe, akterë të partisë pushtet vendosën ta vazhdojnë ritmin e njëjtë duke sulmuar institucionet e drejtësisë në Kosovë. Duke përdorur një artikull ku shkruan me titull “Blerim Isufaj, që ia hoqi Radojçiqit fletarrestin” pushteti në detyrë i përvjeli mëngët në një sulm ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt, se pse po e heton kontratën – njëburimore, pa tender të hapur, por thjesht të negocuar sy më sy, sikur mbi dy mijë të tjera – për ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër të dhënë së fundi nga Qeveria në detyrë që udhëhiqet nga deputeti Albin Kurti.

Qysh ndodhi?

Një portal që i qëndron si dorëz-në-dorë diskursit të Vetëvendosjes, e që në raste tejkalon edhe gjuhën e vetë Vetëvendosjes, e nisi me një artikull “eskluziv” se Blerim Isufaj “që ia hoqi urdhërarrestin Radojçiqit” ka urdhëruar hetimin e “procesit” të ndërtimit të dy urave të reja mbi Ibër. Ky titull u arsenalizua nga deputetë të Vetëvendosjes, jo si hetim për kontratën e radhës njëburimore, por si hetim “për ndërtimin e urave që do ta bashkojnë Mitrovicën”. Tenderi prej tre milionë eurosh i dhënë prapa dyerve të mbyllura e pa ofertim publik për ndërtim urash – për çka ka pafund kompani që mund të konkurrojnë, për çka obligon edhe ligji – për Vetëvendosjen s’përbën shqetësim.

Agim Bahtiri

“Blerim, nuk na tronditi kur e tërhoqe fletëarrestin e Radojçiçit sepse atë e dinim si padrejtësi. Por tani e ke kapërcyer kufirin: po e trajton një projekt zhvillimor, një simbol bashkimi, si krim. A e kupton çfarë absurditeti je duke udhëhequr?”, shkroi Bahtiri. “A je Prokuror i Kosovës apo zëdhënës i Vuçiqit?”, shkroi akuzueshëm Bahtiri.

Prokuroria Speciale doli me njoftim se hetimet s’kanë të bëjnë asgjë me ndërtimin ose jo të urave dhe projekteve infrastrukturore, “por me përmbushjen e obligimeve ligjore”. Dhe kjo si hetim më vete por në kuadër të trajtimit të afër dy mijë kontratave njëburimore.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike”.

“Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.Hetimi për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, shkroi Sistemi Prokurorial.

Blerim Isufaj, tha Fitore Pacolli, “po tenton të ndjalojë ndërtimin e urave”.

“Me urdhër të Blerim Isufajt ka nisur hetimi për ndërtimin e urave të reja në Mitrovicë. Urat që lidhin jugun me veriun po ju pengojnë. Nuk arritën ta ndalojnë shtrirjen e rendit në veri, dhe tani po tentojnë të ndalojnë ndërtimin e urave. Qe pse duhet me vazhdu Qeveria Kurti 3”, tha ajo.

Dimal Basha…

“Sipas raportimeve, me urdhër të Blerim Isufajt ka nisur hetimi për ndërtimin e urave të reja në Mitrovicë. Pra po thuhet se njeriu që i ka tërhjek Radojçiçit fletëarrestin, po e trajton ndërtimin e urave si çështje penale! Si përfaqësues i popullit, e konsideroj të rrezikshme dhe thellësisht të turpshme që prioritet i sistemit të drejtësisë po bëhen urat e Kosovës, e jo kriminelët e Serbisë!”, shkroi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua