Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, tha se AUV ka inspektuar dy strehimore ilegale për qen që ishin financuar nga Komuna e Prishtinës, dhe ka konstatuar shkelje serioze të mirëqenies së kafshëve dhe shëndetit publik.
AUV, ka urdhëruar mbylljen e të dy strehimoreve.
“Këto inspektime u realizuan pas kërkesave të përsëritura nga organizata jonë, dëshmi që pa një monitorim të vërtetë, ky abuzim do të mbetej i fshehur. Dhe mos ta harrojmë: komuna ka injoruar vazhdimisht kërkesat tona për të marrë pjesë në vizitat monitoruese. Tani po e kuptojmë pse.
Premtim Gashi dhe Florentina Bajrami, të cilët supozohej t’i mbanin këta qen në kushte të sigurta dhe humane që plotësojnë të gjitha nevojat e tyre, paguheshin 50 euro për qen në muaj. Mirëpo realiteti ishte krejt ndryshe”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se çka gjeti AUV:
– Higjienë e tmerrshme: hapësira të ndyra, pa ndarje të duhur të kafshëve.
– Pa ujë të pastër, pa kujdes bazik.
– Qen të lënë nën vapë përvëluese, të ekspozuar dhe duke vuajtur.
– Një qen i vdekur u gjet gjatë inspektimeve.
– Më pak qen se sa raportohej zyrtarisht, që tregon për shifra të rreme dhe mashtrim të mundshëm.
– Erë e rëndë e qenve të vdekur, sipas punëtorëve aty afër — që tregon se shumë qen kanë vdekur dhe nuk janë raportuar kurrë.
– Mungesë e dokumentacionit veterinar
“Ky është një abuzim i qartë i fondeve publike dhe një neglizhencë totale ndaj mirëqenies së kafshëve nga njerëz që vazhdimisht deklarojnë se “mirëqenia e kafshëve është prioritet”, të cilët u siguruan që ne të mos e shihnim të vërtetën, duke na bllokuar pjesëmarrjen në vizitat monitoruese”, thuhet në postim.