Live

Gashi: Provat e Serbisë në Speciale, shkelje e rëndë e drejtësisë – Kuvendi të veprojë

16:53 / 01 Gusht 2025

Nga Kosova Live

OVL e UÇK-së ka ftuar të gjithë shqiptarët që më 7 gusht 2025 të marrin pjesë në protestën kundër, siç e quajnë ata, arbitraritetit të Gjykatës Speciale Raciste në Hagë kundër udhëheqësve ushtarakë dhe politikë të Kosovës që po gjykohen në Hagë dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

E si katalizator për organizimin e kësaj proteste po konsiderohet fakti se Gjykata Speciale ka pranuar së fundi, si prova mbi 1000 dosje nga MUP-i i Serbisë dhe agjencionet tjera të sigurisë, po ashtu nga Serbia, transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me këto dëshmi, ka reaguar edhe deputeti i betuar i LDK-së, Arben Gashi.

Përmes një postimi në Facebook, Gashi thotë se të përdoren këto dokumente si “prova” në gjykata kundër qytetarëve të Kosovës është jo vetëm kundër drejtësisë, por edhe kundër çdo parimi themelor të shtetit ligjor dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Marrja dhe përdorimi i materialeve të prodhuara nga institucionet represive të ish-Jugosllavisë dhe më vonë të Serbisë si prova në Dhomat e Specializuara, përbën shkelje të rëndë të të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera ai thotë se Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësi të veprojë në këtë çështje, siç thekson ai, duke nxjerrë ligj të posaçëm që ndalon përdorimin e materialeve të prodhuara nga institucionet represive të Serbisë si prova në gjykatat vendore apo ndërkombëtare që kanë juridiksion mbi Kosovën, dhe sipas tij, të amandamentojë Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe, nëse është e nevojshme, Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.

“Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi të manipuluar dhe të eksportuar nga Beogradi”, shkruan tutje deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua