Live

Begaj ia jep shtetësinë shqiptare Zhegrovës “për të lehtësuar” kalimin e tij te Juventusi

16:37 / 26 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar më 22 gusht dhënien e nënshtetësisë shqiptare për Edon Zhegrovën.

Sulmuesi anësor i Kosovës dhe i Lilles po raportohet se po e kërkon kalimin te Juventusi në Serinë A, por statusi i tij si ekstrakomunitar mund të jetë një pengesë.

Në të tilla kushte, Zhegrova nuk do jetë më një “i huaj” në futbollin italian dhe kalimi i tij te “Zonja e Vjetër” mund të jetë më i lehtë.

Ai mund të transferohet te Juventusi, falë rregullit që është miratuar në Serinë A. Aty, çdo skuadër ka të drejtë të regjistrojë me ekipin e parë një futbollist shqiptar si komunitar. Dhe Zhegrova do të përfitojë nga ky rregull, për të kryer transferimin e tij te Juventusi, nëse të gjitha negociatat shkojnë në rrugën e duhur.

“Në mbështetje të nenit 92, shkronjës ‘c’, nenit 93 të Kushtetutës, neneve 9, 20 e në vijim të ligjit nr. 113/2020, ‘Për shtetësinë’, i ndryshuar, me propozim të ministrit të Brendshëm, DEKRETOJ: Dhënien e shtetësisë shqiptare, me kërkesë të tij, shtetasit: 1. Edon Lulzim Zhegrova”, thuhet në dekretin e nënshkruar nga Begaj më 22 gusht.

Zhegrova thuhet se po kërkon që Lille të bindet nga oferta e Juventusit dhe këtë verë të kalojë në Serie A. Francezët e duan në ekip, por Edoni ka bërë këtë kërkesë për të qenë një “lojtar vendas”.

Futbollistët shqiptarë në Itali

Futbollistët me pasaportë shqiptare nuk janë si të huaj në Itali, kjo pas një bashkëpunimi mes FSHF-së dhe FIGC-it (dy federatave). Kështu, secili klub në Itali që do merrte një futbollist shqiptar nuk do kishte nevojë të “shtrëngohej” për të përpiluar listën, pasi ai do njihej si evropian.

Shpërndaje në

U Kopjua