Dhjetëra protestues në Hong Kong, të barrikaduar brenda një universiteti tash e tri ditë, i kundërshtuan thirrjet e policisë për t’u dorëzuar.
Protestuesit brenda Universitetit Politeknik thuhet se kanë mbetur pa furnizime.
Fillimisht kanë qenë qindra sish të mbledhur në universitet – në mesin e tyre edhe nxënës të shkollave të mesme.
Por, udhëheqësja ekzekutive e qytetit, Carrie Lam, tha se 600 njerëz janë larguar tashmë nga kampusi i universitetit, përfshirë 200 që janë nën 18 vjeç.
Policia ka rrethuar universitetin dhe po arreston këdo që largohet.
Lam u bëri thirrje protestuesve të mbetur në universitet, që të largohen, në mënyrë që operacioni, siç tha ajo, të përfundojë në mënyrë paqësore.
Protestat pro demokracisë në Hong Kong kanë nisur qysh në muajin qershor, fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, por më pas janë shndërruar në lëvizje kundër ndikimit të Kinës në rajon.
Hong Kongu, ish-koloni britanike, i është dorëzuar Kinës më 1997, nën parimin “një shtet, dy sisteme”.
Hong Kongu gëzon të drejta që nuk i ka pjesa tjetër e territorit kinez, por aktivistët dhe protestuesit thonë se ato po minohen gjithnjë e më shumë nga Kina.
Të martën, Pekini dërgoi sinjale të reja se durimi i tij ndaj trazirave, që gati gjashtë muaj, po merr fund.