Frytnimi i Asistuar Mjekësor tek gratë e pamartuara është lejuar 10 vjet më parë me një Udhëzim Administrativ më 2013.
Ndërkaq po e njëjta është përfshirë edhe tani në Projektligjin për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar, për gratë mbi 18 vjeç.
Gjinekologu Shefqet Lulaj që është anëtar i grupit punues të këtij drafti ligjor si dhe kryesues i grupit punues të UA më 2013, thotë se dallimi mes këtyre dy dokumenteve ligjore është i vogël, veçse janë bërë korrigjime në disa finesa karshi nevojave, njofton Klan Kosova.
Megjithëkëtë, gjinekologu Lulaj tregon se kërkesa e grave kosovare që ta realizojnë të drejtën e tyre dhe të bëhen nëna pa partner, është e pakët në Kosovë. Edhe ato të cilat vendosin për një hap të tillë Lulaj thotë se këtë e bëjnë jashtë vendit, në shtet fqinje si shkak i mentalitetit.
Mirëpo në projektligj nuk është lejuar nëna surrogate.
Në kuadër të këtij projektligji që nuk kaloi në kuvend, të enjten, lejohet edhe sterilizimi i burrave.