Qytetarët e Shqipërisë gjatë ditës së diel do ia mësyjnë vendeve të votimit, për të vendosur kështu fatin politik për katër vjetët e ardhshëm.
Sot, Shqipëria ishte në heshtje zgjedhore, dhe se sa u respektua kjo heshtje, ka treguar gazetarja Altiana Zogaj, transmeton Klankosova.tv.
“Nga informacionet që kemi arritur t’i marrim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtu në Shqipëri, materialet tashmë janë shpërndarë pothuajse në të gjitha qarqet, disa nga to për shkak të distancës që kanë nga bashkitë e Shqipërisë janë nisur qysh në mëngjes për të arritur në kohën e duhur”, tha ajo në një lidhje direkte për Lajmet Qendrore në Klan Kosova.
Tutje, Zogaj shton se deri më sot nuk ka pasur ndonjë incident të madh, e as të arrestuar.
“Sa i përket heshtjes zgjedhore, kjo është respektuar goxha shumë nga dy partitë më të mëdha, PD dhe PD, dhe ka pasur incidente fare të vogla, e që i ka monitoruar Policia e Shtetit. Nuk ka pasur ndonjë person të arrestuar”.