Live

Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Haxhiut: Një ministre në vend të skuqjes e sulmon Gjykatën Kushtetuese

10:41 / 28 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në një shkrim në Facebook të martën, Abdixhiku i ka quajtur të rrezikshëm, “përveç se të padijshëm” anëtarët e kabinetit qeveritar.

Ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë dhe ministrja Haxhiu e kanë cenuar rendin kushtetues të Kosovës me hartimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial, të cilin e Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm.

Sipas Abdixhikut, Haxhiu nuk mund të ushtrojë detyrën e saj të ministres derisa sulmon Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë juridik të vendit.

Shkrimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

Nga logjika e ‘vajit në tepsi’,
Tek sulmet ndaj rendit juridik.

Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik.

Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?

Këta kaq dinë, por megjithatë e duan diktatin më shumë. Po t’i lejonim dhe do të merrnin më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë.

Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë!

Shpërndaje në

U Kopjua