Live

Abdixhiku: Kurti u pajtua me statusin e veçantë të Kishës Ortodokse dhe implementimin e Asociacionit

22:30 / 27 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas pranimit të Planit Europian nga kryeministri Kurti në takimin me Vuciqin. I pari i LDK-së tha se Kosova nuk mori njohje, ndërsa u arritën qëllimet e Serbisë për implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake, përfshirë themelimin e Asociacionit dhe statusin e veçantë për Kishën Serbe.

“Sonte në Bruksel, kryeministri i Kosovës u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”, shrkoi Abdixhiku.

Ai shtoi se dokumenti përmban interpretim ndryshe për statusin final politik të Ksoovës dhe të Serbisë e nuk i trajton ato si të barabarta.

“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, shtoi Abdixhiku.

Në fund ai thotë se LDK e cilëson tërësisht të gabuar qasjen e Kurtit ndaj dialogut me Serbinë dhe se kryeminsitri duhet të marrë përgjegjësi për cdo izolim eventual ndërkombëtar.

“LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme. Përfundimi në mes të zgjedhjes së një marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri”, përfundoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...