Live

Abdixhiku: Rikthimi i madh i LDK-së është i pashmangshëm

20:27 / 22 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Në kuadër të ciklit të ri debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u mirëprit nga struktura e qytetarë të shumtë të komunës së Deçanit. 

Në këtë takim kryetari Abdixhiku ka folur për rëndësinë e hartimit të Programit të LDK-së ku janë të angazhuar njerëzit më të përgatitur e ekspertë të shumtë.

“LDK-ja prej se ka filluar hartimin e programit të saj; ka mbajtur takime fillimisht me grupe ekspertëve dhe pastaj ka vazhduar aktivitetin e saj në terren. Po takojmë qytetarë të shumtë; punëtorë, ndërmarrës, biznese e grupe interesi për t’i dëgjuar nga afër problemet dhe sfidat e tyre të cilave do tu japim zgjidhje përmes platformës tonë e cila si burim ka zërin qytetar; ndërsa kjo platformë do ta ketë programin më përmbajtësor që Kosova ka patur ndonjëherë.”, ka thënë kryetari Abdixhiku.

Ai tha se LDK ka hapur dyert për profile të reja, njerëz profesionistë të jashtëzakonshëm të cilët çdo ditë po shprehin interesim për të kontribuar për zhvillimin e vendit përmes platformës së LDK-së e cila padyshim do të jetë oferta më e mirë për qeverisje.

Abdixhiku ka folur edhe për organizimin e brendshëm partiak, me ç’rast theksoi punën e madhe që po e bëjnë degët e nëndegët gjithandej Kosovës.

“Po bëhet një punë e palodhshme nga strukturat tona; në nivel qendror e lokal, ku entuziazmi dhe vullneti për punë i njerëzve tanë është dëshmi se rikthimi i madh i LDK-së është i pashmangshëm”, ka përfunduar Abdixhiku.

Shpërndaje në

U Kopjua