Live

Alban Hyseni favorizon motrën e deputetes së LVV-së, ia “bën” vendin si kryeinfermiere të QKMF-së në Gjilan

18:57 / 06 Dhjetor 2022

Nga admin

nga admin

Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pas njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinjtë. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti në një tubim zgjedhor bashkë me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.

Por si duket më kushërinjtë nuk janë më vetëm për dasma, ata po sistemohen edhe nëpër dikaster të ndryshme, shkruan Kosovalive.net.

Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, i cili është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, që nga qeverisja e tij nuk është ndalur t’i rehatoj bashkpartiakët e tij.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe ditë më parë ku pas pensionimit të kryeinfermieres në Qendrën Kryesore Klinike të Mjekësisë Familjare, Lutfije Ilijazi, në pozitën e saj është vendosur si ushtrues e detyrës Violeta Mustafa- Hasani.

Mustafa-Hasani është edhe motra e deputetes së Vetëvendosjes Arijeta Rexhepit.

Arijeta Rexhepi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje

Kosovalive.net ka kontaktuar me deputeten e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arijeta Rexhepin. Ajo ka deklaruar se Violeta është motra e saj  dhe se ajo punon mbi 16 vite në QKMF’në në Gjilan.

“Violeta po është motra ime. Motra ime punon më shumë se 16 vite në QKMF në Gjilan, e këto janë procedura të ndryshme të komunës e për besë nuk e di se çka kanë vepruar”, ka deklaruar ajo.

E pyetur se a është kjo një lloj nepotizmi për derisa ajo është deputet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Komunën e Gjilanit e udhëheq po kjo parti.

“Drejtoresha që ka qenë më herët ka dal në pension e kam vetëm këtë informatë e këto janë veprime të brendshme të komunës dhe të QKMF’së, për këto vendime, kështu që diskutoni me ta”, ka thënë deputetja Rexhepi.

Ndërkaq, Kosovalive.net ka kontaktuar edhe kryetarin e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherit edhe drejtor për buxhet dhe financa, Riad Rashitin.

Riad Rashiti, kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës- Gjilan

Ai për kosovalive.net, ka thënë edhe pse së bashku e udhëheqin komunë e Gjilanit nuk janë të njoftuar për çështjet që mund të zhvillohen në çdo drejtori.

“Partia Demokratike e Kosovës e udhëheqin bashkë komunën e Gjilanit me Vetëvendosjen por problemi është se ajo është kompetencë e drejtoreshës së QKMF’së në Gjilan, Arbenita Hajdarit dhe drejtoreshës së shëndetësisë Aurorë Osmani. Ne si PDK nuk jemi të njoftuar për çdo çështje që mundet të zhvillohet në çdo drejtori përkatëse, sepse komuna i ka 12 drejtori e kjo është e pamundshme”, ka thënë ai.

Rashiti: Nuk është post politik por këtë e ka vlerësuar drejtoresha e QKMF’së

“Ne po flasim për një pozitë që është shërbyes shëndetësor apo staf shëndetësor  edhe kompetencat e kësaj nuk është post politik, kjo nuk është drejtori por është post politik të cilën e ka vlerësuar drejtoresha e QKMF’së, Arbenita. Prandaj nëse flasim politikisht ajo nuk është as e PDK’së dhe as e VV’së, si drejtoreshë ajo është e LDK’së, ajo e udhëheqë QKMF’në, ajo e ka vlerësuar ngushtë se kjo Violeta është personi meritor apo profesional dhe që e kanë vlerësuar që më së miri mundet ta udhëheqë. Kjo është në kohë të pacaktuar dhe është e përkohshme, pra është ushtruese e detyrës e konkursi kur të del ajo është procedurë tjetër, prandaj nuk është post politik, andaj edhe postet politike janë marrëveshje që i përket koalicionit. Për poste të punësimit të këtij niveli nuk ka të bëjë  më atë se a është për neve e pranueshme apo nuk është e pranueshme”, pohoi ai.

Mospajtimet e koalicionit VV-PDK në Gjilan:

Se a janë pajtuar mes vete kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Riad Rashiti me kryetarin aktual të kësaj komune Alban Hyseni, ai thotë se kjo gjë nuk ishte diskutuar mes partnerëve të koalicionit.

“Kjo nuk është diskutuar mes nesh, e as nuk e di se kënd e ka motër ajo, thjeshtë nuk është diskutuar mes partnerëve kjo temë, se kjo është një pozitë që është përkohësisht e udhëheqë një infermieri, nuk ka të bëjë kjo me koalicion, nuk ka të bëjë më marrëveshje, nuk ka të bëjë më diskutime e as s’kena pas diskutime, e nuk kemi pasur as takime e as konsultime, kjo është absolutisht vendim i drejtoreshës së QKMF’së, e nuk ka të bëjë me neve kjo kurgjo”.

Drejtoresha e Shëndetësisë Aurorë Osmani dhe ish-kryeinfermieria Lutfije Iljazi

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, kosovalive.net ka kontaktuar edhe drejtoreshën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, Aurorë Osmani- Buca.

Ajo ka deklaruar se pas pensionimit të kryeinfermieres në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare, Lutfije Ilijazi, ka qenë pozita e lirë e neve na është dashur që ta përcaktojmë dikë.

“Kryeinfermierja ka dal në pension, mandej ka qenë një pozitë e lirë e na është dashur që ta përcaktojmë dikë, pra një përgjegjës deri në konkursin e ardhshëm. Ka pasur persona të interesuar, e ka plotë infermiere që punojnë në Qendrën e Mjekësisë familjare”, ka thënë ajo.

Se me çfarë bazash ajo është përzgjedhur, ajo thotë se në bazë të shkollimit dhe se punon gjatë në QKMF.

“Në bazë të përvojës së punës, performancës, dhe se ajo punon gjatë në institucion dhe ka shkollimin superior, d.m.th na nuk i kemi emëru njerëzt të cilët nuk i plotësojnë kriteret”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale dhe drejtoresha e QKMF’së në Gjilan nuk japin detaje se kur do të hapet konkursi për kryeinfermier:

“Nuk e kemi vendosur akoma është konkurs i ndarë, se kjo punë është shumë strikt se nuk i ka as një muaj që është dal në pension, e deri në konkursin tonë, kemi ende kohë e i shohim kandidaturat e tjera dhe aplikacionet e tjera”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, kosovalive.net, ka pyetur edhe më drejtoreshën e QKMF’së, Arbenita Hajdari për ketë përzgjedhje dhe a ka pasur edhe emra të tjerë që kanë qenë për këtë pozitë.

“Si ushtruese të detyrës kemi të drejtë të caktojmë një punëtore, e cila ma merr mendja që i kryen punët, derisa të bëhet konkursi kështu që kanë qenë shumë por ne kemi vendosur për Violetën. Jo nuk i kemi emrat, se kur të bëhet konkursi mandej shifet se kush konkurron, e për momentin na kemi të drejtë të caktojmë një ushtruese të detyrës që mos të mbet puna keq vetëm mi caktu puntë edhe detyrat me infermieret”, ka thënë Hajdari.

Arbenita Hajdari, drejtoteshë e QKMF’së në Gjilan

Se a është kjo një lloj nepotizmi për derisa motra e saj është deputete dhe Komunën e Gjilanit e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, ajo ka thënë se kjo është vetëm ushtruese e detyrës.

“Për ashtu nuk di se çka të them  se a është nepotizëm kjo, se është  vetëm ushtruese e detyrës, e nuk e di se kush do të zgjidhet se kush do të jetë apo do të ketë kandidate të tjera të cilat do të tregohen më të afta, e kjo nuk është vendimtare”, ka thënë ajo.

Hajdari: Kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë infermieret:

“Do të bëhet konkursi, do të përzgjidhet komisioni, të gjitha do të hyjnë në mënyrë të barabartë edhe shohim se kush do të fitoj pikë më shumë  për ta udhëhequr. Konkursi do të hapet së shpejti vetëm se po presim përgatitjet përfundimtare dhe do të ketë konkurs të brendshëm, pra brenda QKMF’së, që kanë të drejtë të aplikojnë të gjitha infermieret”, ka thënë drejtoresha e QKMF’së, Arbenita Hajdari.

Ndër të tjera drejtoresha e QKMF’së në Gjilan, ka shtuar se ushtruesja e detyrës së kryeinfermierës Violeta Mustafa- Hasani ka 18 vite përvojë pune.

“Violeta Mustafa- Hasani ka 18 vite përvojë pune e ka të tjera që i kanë nga 40 vite, por sa janë të interesuara  ata që më kry pozitën, se kjo nuk është pozitë e lehtë. Dikush ka interesim dikush jo”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, vlen të theksohet se në fund të muajit mars të këtij viti, Spitali i Përgjithshëm në Gjilan ishte bërë me drejtor. Në këtë pozitë ishte zgjedhur doktori, Arsim Emini, përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua