Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka bërë një reagim pas lajmit se llogaria e saj zyrtare në Twitter kishte pëlqyer një postim të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, gjatë mbrëmjes së kaluar në një adresim vjetor para popullit serb, u shpreh se nëntë shtete kishin tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Këto pretendime të tij, i shpërndau edhe në llogarinë zyrtare në Twitter.
Në një përgjigje për Kosovalive.net, Katherine Judd – zëdhënëse e ambasadës në Prishtinë – sqaroi se “asnjë postim në Twitter nuk ishte bërë me qëlllim “like” në 24 orët e fundit”.
“Llogaria zyrtare e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Twitter nuk e ka “pëlqyer” (bërë like) me qëllim asnjë postim në Twitter në 24 orët e fundit.” – tha ajo për kosovalive.net.
Më pas, znj. Judd shtoi se Ambasada ishte duke e hetuar rastin për të “përcaktuar se çka kishte ndodhur.”
Nga Ambasada patën edhe një qëndrim tjetër për të shprehur ku thënë që qëndrimet nuk i shprehin përmes pëlqimeve në mediat sociale.
“Siç mund ta keni vërejtur më herët: kur kemi për ta artikuluar një qëndrim, e bëjmë këtë gjë përmes deklaratave zyrtare që kanë autor – jo përmes ‘pëlqimeve’ në mediat sociale.”
Vlen të theksohet që pas këtij ‘incidenti’ online të ambasadës amerikane kishte reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja por edhe disa personalitete tjera publike.
E gjithë kjo bujë është bërë për shkak të rëndësisë së madhe që ka secili qëndrim i Shteteve të Bashkuara për vendin tonë.
Kujtojmë se presidenti serb Vuçiq gjatë adresimit të djeshëm u shpreh se nëntë shtete kishin tërhequr njohjen për Republikën e Kosovës. Këto shtete sipas tij janë: Somalia, Burkina Faso, Gabon, Estwatini, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet.