Ambasada amerikane në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, ka shpërndarë një pjesë të fjalimit të ambasadorit Jeff Hovenier në Reçak.
Në postimin e shpërndarë, ambasadori bën thirrje që askush mos ta harrojë atë që ndodhi atje, derisa përmend edhe bombardimet e NATO-s
“Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi këtu. Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerash, SHBA, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit. Këto synime pasqyrojnë vlerat e thella amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa dallim etnie apo feje, e meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri”, thuhet në postim.
Ndërkohë, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtohen civilët e vrarë 24 vjet më parë në fshatin Reçak, të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Poklek, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë, në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999.