Live

Analiza e Kadri Kastratit, Bedri Elezit dhe Drizan Shalës: Serbia shkaktare direkte, zgjedhjet mund të mos mbahen në veri të Kosovës

16:27 / 07 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar një seri shpërthimesh, por pa pasoja në njerëz.

Ish-komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati për Kosovalive.net, tha se Qeveria e Kosovës do të duhej të analizonte mirë se a ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Duke e pasur parasysh situatën aktuale që është te komunitetet serbe dhe udhëheqësit e tyre. “Unë personalisht nuk shohë që ka kushte të mirëfillta edhe politike por edhe juridike që të  mbahen zgjedhjet atje”, theksoi ai.

Më tutje Kastrati tha se me këto shpërthime të cilat kanë ndodhur mbrëmë dhe sot kjo nënkuptohet që është përkeqësim i situatës në veri të Kosovës.

“Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi nuk dëshiron që procesi i zgjedhjeve të mbahet sipas planifikimit të institucioneve të Kosovës dhe kjo faktikisht po e shtyp Qeverinë e Kosovës dhe Institucionet e sigurisë që do të duhej të merrnin masa më të ashpra për parandalimin e këtyre incidenteve”, ka thënë Kastrati.

Përtej analizës mbi keqësimin e gjendjes në veri, Kastrati nuk sheh që vendi ynë ka kapacitete për mbajtjen e zgjedhjeve në veri sepse policia sipas tij i ka braktisë institucionet atje dhe ka deklaruar që nuk merret me çështje policore “dmth, merret vetëm me mbikëqyrje dhe KFOR-i, e dimë që nuk është reaguesi i parë por i dyti”, ka analizuar kështu situatën e tashme në veri eksperti i sigurisë gjeneral Kastrati.

“Serbët janë të gatshëm që të bëjnë skenarë të ndryshme në çdo moment që ata të kenë situata të vështira. Faktorët ndërkombëtare kanë sjellë të finalizimin e Planit franko-gjerman dhe atyre nuk iu konvenon. Unë presë që Serbia të bëjë sekenarë nga më të ndryshmet që  mos ta lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Kastrati.

Ndërkaq, njohësi tjetër i sigurisë,  Bedri Elezi, vlerëson se incidentet në veri kanë për qëllim që ta destabilizojnë vendin tonë dhe është Rusia ajo që po e nxitë Serbinë që të ketë akte dhune në Kosovë edhe Ballkan.

“Duke e parë mirë këtë situatë Institucionet e Kosovës duhet të kenë një kujdes të veçantë sa i përket çështjes së provokimeve të cilat vijnë nga grupet kriminale serbe, të cilat janë të shtrira në atë zonë dhe duhet të merren masat. Fillimisht të ofrojnë një bashkëpunim të mirëfilltë në faktorët e rëndësishëm të sigurisë siç janë SHBA-të, pastaj Bashkimi Evropian, UNMIKU dhe EULEX-i, si partnerë seriozë, për të ilustruar gjendjen kriminale dhe më pas për të realizuar aktivitete të përbashkëta për dekriminalizimin e kësaj zone”, ka vlerësuar ai.

Për këtë çështje të ndjeshme të përshkallëzimit të situatës në veri të shtetit u deklarua për Kosovalive edhe opinionisti tjetër i fushës së sigurisë, Drizan Shala. Ai tha se situata me targa prodhoi anarki në pjesën veriore.

“Kosova tani më ka hyrë në një rreth të mbyllur duke vazhduar nga hapja e një problemit në tjetrin duke shkaktuar pasoja të rënda në fushën e sigurisë. Pas fillimit të situatës me targa në shtator të 2021 dhe mbajtja në agjendë qeveritare këtë situatë, tani më ajo ka prodhuar një situatë të cilën e dimë që është një tentativë për një anarki institucionale në atë pjesë. Situata në katër komunat në veri të vendit nga dje nuk reflekton më hapësirë për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend. Për këtë, do të kemi një situatë ku do të diskutohet në Bruksel që tani. Ndërsa Asociacioni do të zbatohet pas këtyre incidenteve duke prodhuar një fakt të ri, i cili do ta shtynë bashkësinë ndërkombëtare të reagon gjatë ditëve në vijim”, është i bindur Shala.

Duke kundërshtuar zbatimin e këtij plani që ka nisur më 1 nëntor, kryetarët e komunat, asamblistët, policia dhe administrata në komunat e veriut kanë dhënë dorëheqje.

Kosova dhe Serbia, ndërkohë, kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina ka pezulluar planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi është zotuar se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.

Tash për tash, nuk është e qartë nëse serbët e veriut do të mund të kthehen në institucionet e Kosovës dhe nëse po, si?!

Zhvillimet e fundit dramatike në veri të shtetit ndodhën pikërisht në ditën kur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i një plani për normalizimin e marrëdhënieve.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...