Në vazhdën e operacioneve të Antidrogës, sot është kryer një tjetër aksion në Prishtinë, i cili rezultoi me arrestimin e një personi i cili u kap me drogë të llojit marihuanë.
Aksioni është zhvilluar në lagjen e Muhaxherve, ku janë ndaluar dy persona dhe një veturë.
Policia ka njoftuar se dy personave të ndaluar u janë gjetur paktime me substancë narkotike të llojit marihuanë, të gatshme për shitje.
“Gjatë kontrollit, tek i dyshuari A.B janë gjetur dhe konfiskuar 117.8 gram marihuanë në një paketim të vetëm dhe 24 paketime të vogla me 26 gram marihuanë të gatshme për shitje. Në veturën e personit të dytë, Sh.I, është gjetur një paketim i vogël me 1 gram marihuanë.
Pas urdhrit të Prokurorit Kujdestar, është kryer kontroll edhe në banesën dhe bodrumin e të dyshuarit A.B, ku ne bodrum janë gjetur edhe 79.7 gram marihuanë të ndarë në paketime për shitje, një peshore digjitale, dy paketime me foli dhe një telefon”, thuhet në njoftim.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se i dyshuari A.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq personi Sh.I është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
Ndërkaq, të gjitha provat materiale janë konfiskuar nga Njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë.