Derisa në të gjitha subjektet tjera politike gjatë kësaj kohe kanë ndodhur aderime të reja, në partinë e Isa Mustafës në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), këto prurje nuk janë mirëpritur.
Ishte vet kryetari i kësaj partie i cili i ka mbyllur dyert për njerëz të rinj që dëshirojnë t’i bashkohen partisë së tij duke i quajtur “ardhacak të ditëve të fundit”.
Ai më 7 shtator përmes një statusi në llogarinë e tij në “Facebook” ka shkruar se “LDK ka njerëz me të cilët do të qeveris me standarde evropiane të dijes e me përgjegjësi e ndërgjegje familjare e ligjore”, duke lënë kështu të nënkuptohet se udhëheqja e proceseve do të ndodh me zyrtarë të vjetër të kësaj partie.
“Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Ata që e kishin mendjen na u bashkëngjiten në procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake. Lista përfaqëson kandidatët që janë propozuar nga çdo cep i Kosovës, të cilët kanë marrë përkrahjen e të gjitha organeve të LDK-së, atyre lokale dhe qendrore. Prandaj ne garantojmë para qytetarëve për çdonjërin që e kemi në listë se është i yni. Ndërkaq qytetarët vendosin për vlerat tona dhe vlerat e çdonjërit veç e veç! E LDK iu beson qytetarëve të Kosovës, e bindur se kemi vetëm një atdhe dhe vetëm një popull që vendos për te! IM”, pati shkruar mes tjerash Mustafa.
Në anën tjera partitë të cilat kanë pranuar aderime të reja, mbi të gjitha u kanë dhënë edhe hapësirë në listat për deputet.
Nisur nga përvojat e së kaluarës, Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë tërë kohës është kritikuar edhe nga mbështetës të kësaj partie, që nuk po krijon hapësirë veçanërisht për gjeneratat e reja.
LDK po ashtu vazhdon të kritikohet për udhëheqjen e saj me njerëz të gjeneratave të vjetra.
Po ashtu edhe kandidatja aktuale për kryeministre të Kosovës nga kjo parti, Vjosa Osmani në të kaluarën ka pasur shumë mospajtime brenda partisë, sidomos me kreun e këtij subjekti politik, Isa Mustafën. /KosovaLive