Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak prej 1 muaji ndaj kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.
Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur Arianit Koci, avokati i Nikçit.
“Gjykata nuk e ka miratuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, por të arrestit shtëpiak. Brenda afateve të duhura ligjore, unë do të bëj ankesë”, ka thënë Koci.
Arresti shtëpiak për Nikçin dhe Shalakun është 30 ditë.
Edhe Gjykata Themelore në Prishtinë ka publikuar vendimin, ku tha se gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka marrë Aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 28.02.2025 për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku, dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji.
Sipas gjykatës, të Nikçi dhe Shalaku “detyrohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi, përveç rasteve të nevojës së domosdoshme dhe atë me leje të posaçme paraprake të gjyqtarit të procedurës paraprake. Po ashtu detyrohet Stacioni Policor Qendra në Prishtinë dhe Stacioni Policor në Obiliq, të verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj të informojnë gjyqtarin e procedurës paraprake”.
“Nëse të pandehurit H.N. dhe N.SH. nuk e respektojnë këtë masë, gjykata mund ta caktojë masën e paraburgimit për të njëjtit”, thuhet në aktvendim.
Gjykata thotë se ka vlerësuar se kërkesa për caktim të masës së paraburgimit në këtë çështje penale “është e pa bazuar dhe ndaj tyre vendosi të caktojë masën e arrestit shtëpiak”.
“Ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri, të njëjtit mund të fshihen apo të ikin me qëllim të shmangies nga prania e tyre në fazat e mëvonshme të zhvillimit të kësaj procedure penale, si dhe nëse të njëjtit mbrohen në liri, do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprave penale, apo duke ndikuar në të dëmtuar dhe dëshmitarë”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është një nga masat më të rrepta dhe ekstreme të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe si e tillë duhet vendosur vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit, andaj në këto kushte vlerësoj se me masën e arrestit mund të arrihet zhvillimi i suksesshëm i procedurës penale, sa i përket parandalimit të ikjes apo pengimit të zhvillimit të procedurës penale nga të njëjtit”, u tha në njoftimin e Gjykatës.
Dy të dyshuarit u ndaluan të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Nikçi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”.
Ndërsa Shalaku dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”. /Klankosova.tv