Live

As e gjashta s’bëri punë – Kuvendi mbetet i pakonstituuar

14:43 / 25 Prill 2025

Nga Kosova Live

Të premten e 25 prillit, deputetët e zgjedhur u mblodhën për të gjashtën herë, për konstituimin e Kuvendit.

Partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë së propozuari Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit, ani pse tash e katër herë një gjë e tillë hidhet në votim, por votat nuk i merr, transmeton Klankosova.tv.

Në seancën e sotme, propozimi i VV-së për Haxhiun si kryeparlamentare mori sërish 57 vota pro, të pamjaftueshme për t’u zgjedhur.

Më pas, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu menjëherë seancën, derisa të radhës e caktoi më 27 prill, me fillim nga ora 10:00.

Pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, nuk munguan as reagimet e ashpra nga opozita, e as ‘lutjet’ e pozitës për mirëkuptim.

Lidhur me kokfortësinë e VV-së për propozimin e Haxhiut si kryetare të Kuvendit, nuk u pajtua fort kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai, në një deklarim për media tha se Lëvizja Vetëvendosje me këtë veprim po mban peng shtetin.

“Kjo vërtet tash është e pakuptimtë, e turpshme që për teke të një personi të mbetet peng shteti. Kjo është ndërmarrje e shtetit të Kosovës për tekat e një njeriu. Sikur të donin, kanë pasur mundësi, e të njëjtën e kanë edhe pasnesër, që ta ndërrojnë kandidatin sepse nuk imponohet kandidati kur s’e ki shumicën parlamentare. Këta nuk kanë numra, dhe fakti që Albin Kurti nuk mundet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, është duke e mbajtur peng edhe Kuvendin edhe institucionet, edhe vendin e shtetin tonë”, deklaroi Krasniqi.

Nga ana tjetër, Albulena Haxhiu u shpreh se nëse Kuvendi nuk vazhdon të konstituohet, Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje.

“Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës, VV-ja tashmë e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, duket se ka mungesë të vullnetit të konstituohet Kuvendit, por ne jemi të gatshëm t’i presim partitë politike, të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, tha ajo.

Por, deputeti i zgjedhur i VV-së, Hekuran Murati tha se partia e tij nuk është e interesuar të shkojë në zgjedhje.

“Nuk është qëllimi ynë të shkojmë në zgjedhje, do të ishte opsioni i fundit për ne”, u shpreh ai.

Ndryshe, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj iu përgjigj zërave që aludohej se ai dhe VV-ja janë në bisedime për një koalicion të mundshëm.

“Nuk kemi marrëveshje me askënd”, tha Limaj para mediave.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se qëndrimet e partisë së tij nuk ndryshojnë, duke nënkuptuar se Albulena Haxhiun nuk e votojnë që të jetë në krye të Parlamentit të Kuvendit të Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua